Në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë u organizua ceremonia e përfundimit të Kursit të Gjuhës Shqipe për të Huajt. Gjatë fjalës së tij, Dekani i Fakultetit, Prof. Dr. Mark Marku, shprehu mirënjohjen për studentët e huaj për pasionin dhe përkushtimin e treguar, si dhe falënderoi përzemërsisht stafin pedagogjik për profesionalizmin dhe angazhimin e palodhur në mësimdhënien e shqipes.
Nga ana e tij, Përgjegjësi i Departamentit të Gjuhës Shqipe falënderoi të gjithë pjesëmarrësit që zgjodhën pikërisht Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë për të mësuar shqipen, duke i ftuar ata të rikthehen sërish për të thelluar e avancuar më tej njohuritë e tyre.
🧭 Një udhëtim i paharrueshëm në juglindje të Shqipërisë
Përpara mbylljes zyrtare të kursit, studentët patën mundësinë të përjetonin nga afër pasurinë e trashëgimisë sonë përmes një vizite në juglindje të vendit:
📍 Në Lin (Pogradec): Nën drejtimin e specialistëve të kulturës së Bashkisë Pogradec, studentët vizituan Mozaikun e lashtë të Linit.
Një moment i veçantë ishte takimi në terren me arkeologët e mirënjohur Prof. asoc. dr. Adrian Anastasi dhe Prof. asoc. dr. Ilir Gjepali, si dhe me arkeologun gjerman Martin Hinz nga Universiteti i Kielit.
Ata i njohën studentët me zbulimet më të fundit të vendbanimit palafit "Lin 3":
📍 Në Tushemisht: Vizita u pasurua edhe me një ndalesë të këndshme në fshatin piktoresk të Tushemishtit, ku studentët patën rastin të njihen me kinematografinë shqiptare duke vizituar statujën e Teto Ollgës, personazhit të paharrueshëm të filmit të njohur "Zonja nga qyteti".
📍 Në Korçë: Udhëtimi vijoi në qytetin e Korçës, ku pjesëmarrësit vizituan Muzeun Kombëtar të Artit Mesjetar. Nën mikpritjen dhe drejtimin e drejtoreshës së muzeut, znj. Fjoralba Prifti, studentët u njohën nga afër me kryeveprat e artit ikonografik dhe vlerat e rralla të traditës sonë mesjetare.
Në Voskopojë: Udhëtimi vijoi me një ndalesë me vlera të mëdha historike dhe arsimore në Voskopojë. Studentët vizituan mjediset e Akademisë së Re, institucionit të famshëm të shekullit të XVIII që e shndërroi këtë qendër në një vatër të rëndësishme të dijes, kulturës dhe iluminizmit në mbarë rajonin.
I urojmë suksese të mëtejshme çdo studenti që mori pjesë në këtë kurs.
Dyert e Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë mbeten gjithmonë të hapura për ju! 📚🌐
Më të fundit