20.5.2026

Mbyllet me sukses “Java e Këshillimit të Karrierës 2026”


Mbyllet me sukses “Java e Këshillimit të Karrierës 2026” në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë, me ceremoninë e certifikimit të studentëve pjesëmarrës. Përgjatë katër ditëve intensive të seksioneve të këshillimit në fushën e karrierës, studentët u bënë pjesë e një serie aktivitetesh të fokusuara në orientimin profesional, njohjen me sfidat që paraqet sot tregu i punës, si edhe informimin mbi mundësitë konkrete për punësim dhe zhvillim profesional.
Aktivitetin përmbyllës të “Javës së Këshillimit të Karrierës” e përshëndeti Dekani i Fakultetit, Prof. Dr. Mark Marku, i cili theksoi rëndësinë që kanë sot zyrat e karrierës në orientimin profesional të studentëve, nevojën për një lidhje sa më të ngushtë të universitetit me tregun e punës, si edhe domosdoshmërinë që studentët të pajisen me aftësi praktike dhe kompetenca bashkëkohore për t’iu përgjigjur zhvillimeve të reja të tregut.
Ndërsa këshilluesja e karrierës së fakultetit, Blerina Gega, bëri një pasqyrim të tematikave të trajtuara gjatë kësaj jave, duke u ndalur veçanërisht te rëndësia e zhvillimit të aftësive personale dhe profesionale për studentët, në një treg pune gjithnjë e më dinamik dhe konkurrues, sidomos përballë ndryshimeve të mëdha që po sjell inteligjenca artificiale në profesionet e së ardhmes.
“Java e Këshillimit të Karrierës” krijoi edhe një hapësirë të vlefshme komunikimi dhe bashkëpunimi mes studentëve dhe lektorëve profesionistë të ftuar, nga ku u trajnuan rreth 40 studentë të Fakultetit.
Ceremonia përmbyllëse u shoqërua me ndarjen e certifikatave në një atmosferë të ngrohtë dhe festive, ku pjesëmarrësit patën mundësinë të ndanin eksperiencat dhe përshtypjet e tyre nga kjo përvojë.


 

The Faculty of History and Philology - All rights reserved