“Testet e Karrierës” ose “Testet e Aftësisë për punë” janë teste ndërkombëtare dhe të standardizuara sipas nevojave të kontekstit shqiptar nga hulumtuese të Qendrës së Karrierës në Fakultetin e Shkencave Sociale, UT, në bashkëpunim me Universitetin e Lozanës në Zvicër. Ato matin interesat, vlerat, personalitetin dhe aftësitë e ndërsjella të studentit drejt orientimit në karrierë.
Fakulteti ynë pati përfaqësinë e tij në këtë trajnim dhe tashmë studentët tani do të kenë një shërbim të ri nga zyra e Karrierës, që do t’i ndihmojë ata për të njohur sa më mirë veten.
Katër ishin testet e standardizuara me të cilat u trajnuan këshilluesit e Karrierës së të gjitha Fakulteteve: ADOR - Analiza e kërkesës për orientim, CDDQ - Vështirësitë në Procesin e Vendimmarrjes për Karrierën, PGI - Inventari i matjes së interesave ose shkurt (Personal Globe Inventory) dhe VISA –Vlerësimi i Statusit të Identitetit Profesional.
Trajnimi zgjati 8 ditë dhe kjo u bë e mundur falë mbështetjes që projekti RisiAlbania ofron për rritjen e kapacitetit profesional të stafit të zyrave të karrierës pranë Universitetit të Tiranës dhe zyrës së Marrëdhënieve me Publikun në UT.