Përmbyllet “Work and Study”2023-2024, panairi i dedikuar informimit të të rinjve mbi zgjedhjet dhe perspektivat e tyre universitare. Gjatë gjithë muajit mars, ky aktivitet u zhvillua në disa prej qarqeve kryesore të vendit, duke kulmuar në Tiranë, në ambientet e Piramidës, ku maturantët u njohën nga afër me ofertën akademike të institucioneve të arsimit të lartë.
Në këtë kuadër, Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë u prezantua përmes përfaqësisë së Universitetit të Tiranës, duke ofruar informacion të detajuar mbi programet e studimit dhe mundësitë që ai ofron për studentët e ardhshëm. Të pranishmit patën mundësinë të orientoheshin më qartë mbi drejtimet akademike dhe alternativat e formimit të tyre profesional.
Përfaqësimi i Fakultetit u realizua nga Zyra e Këshillimit të Karrierës, ku këshillueset e karrierës informuan maturantët mbi programet Erasmus, bursat e studimit, klubet studentore, programet prioritare si edhe mbi cilësinë e stafit akademik dhe shërbimet mbështetëse që fakulteti ofron. Panairi shërbeu si një hapësirë e vlefshme komunikimi dhe orientimi për të rinjtë në prag të zgjedhjeve të tyre akademike.