Dekani i Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë Prof. dr. Mark Marku priti në një takim zyrtar Rektorin e Universitetit Sllavjan në Azerbajxhan Prof. dr. Anar Naghiyev dhe ekipin e tij. Në takim ishin të pranishëm gjithashtu Ambasadori i Republikës së Azerbajxhanit në Shqipëri, Shkëlqesia e Tij z. Anar Huseynov, anëtarët e dekanatit dhe përgjegjësit e departamenteve. Ky takim shënon një hap të rëndësishëm në zgjerimin e bashkëpunimeve ndërkombëtare të fakultetit me një ndër universitetet më të mira të Azerbajxhanit, si dhe zhvillimin e mundësive të reja për studentët dhe stafin akademik.
Në fokus të bisedimeve ishin disa iniciativa të rëndësishme për forcimin e lidhjeve midis dy institucioneve, duke përfshirë:
-Hapjen e programit të gjuhës shqipe në Universitetin Sllavjan dhe krijimin e lektoratit për të.
- Shkëmbimin e personelit akademik.
- Pjesëmarrjen e studentëve në shkollat verore përkatëse.
- Organizimin e konferencave dhe aktiviteteve shkencore të përbashkëta.
- Krijimin e mundësive për pjesëmarrje në projekte të përbashkëta kërkimore shkencore.
Këto nisma synojnë të pasurojnë përvojat akademike të stafit akademik, të studentëve, si dhe të nxisin bashkëpunimin frytdhënës mes institucioneve tona.
Si pjesë e këtij takimi, Rektori i Universitetit Sllavjan të Azerbajxhanit, Prof. dr. Anar Naghiyev, mbajti një leksion të hapur me studentët e Fakultetit të Historisë e të Filologjisë, ku diskutoi mbi tematikën “Epoka e re e Azerbajxhanit”. Leksioni u pasua nga një bisedë i hapur me studentët, ku përmes pyetjeve e përgjigjeve u trajtuan aspekte të rëndësishme të historisë dhe zhvillimeve të fundit në Azerbajxhan.
Gjithashtu, gjatë këtij takimi, Dekani i Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë, Prof. Dr. Mark Marku, theksoi rëndësinë e bashkëpunimeve ndërkombëtare, veçanërisht në fushat e studimeve kërkimore shkencore që mbulon fakulteti, duke përfshirë historiografinë, letërsinë, gjuhësinë, gazetarinë, arkeologjinë e gjeografinë. Ai theksoi se një bashkëpunim i tillë është një hap i rëndësishëm drejt krijimit të mundësive të reja për avancimin e studimeve dhe kërkimeve shkencore, si dhe për pasurimin e përvojave akademike të stafit pedagogjik dhe studentëve tanë.
Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë mbetet i përkushtuar në forcimin e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe në ofrimin e mundësive më të mira për studentët dhe stafin e tij.