Departamenti i Gjeografisë, në këtë aktivitet traditë tashmë, pati nderin të mikpriste një ndër themeluesit e parë të Katedrës së Gjeografisë, Prof.Dr. Vasil Kristo, i cili mbajti një leksion të hapur për pedagogë, të ftuar dhe studentë, lidhur me “Historinë e krijimit të Katedrës së Gjeografisë”, duke u fokusuar në zhvillimin e saj ndër vite dhe kontributet e shumë brezave në konsolidimin e kësaj disipline deri në formësimin që Gjeografia ka sot. Ky leksion u ndoq nga një auditor i gjerë studentësh, pedagogësh dhe të ftuarisht duke nxitur diskutime mjaft interesante drejt angazhimit të Departamentit në të ardhmen.
Në kuadër te aktivitetit “Ditët e Gjeografisë 2024”, Prof.Dr. Pal Nikolli, themelues i disiplinës së Sistemeve të Informacionit Gjeografik (SIG), Fotogrametisë, Teknologjisë Remote Sensing etj, mbajti një leksion të hapur me temë “Teknikat e Gjeografisë dhe Gjeografia Teknike”. Ky leksion u ndoq me mjaft interes nga kolegë dhe studentë të Departamentit të Gjeografisë, si një kontribut i vyer në aspektin teorik, praktik dhe metodik.
Përgjatë aktivitetit tashmë të përvitshëm “Ditët e Gjeografisë” , Përgjegjësi i Departamentit të Gjeografisë Prof.Dr. Romeo Hanxhari mbajti një referat me temë “Revista Studime Gjeografike, risi dhe sfida drejt indeksimit kombëtar dhe ndërkombëtar”. Në fund të këtij referimi informues rreth botimit të parë për viti 2024, Studime Gjeografike 26, Departamenti i Gjeografisë shpalli thirrjen e hapur për dorëzimin e dorëshkrimeve për botim në numrin e ardhshëm “Studime Gjeografike 27”.
Aktiviteti “Ditët e Gjeografisë 2024” iu dedikua edhe Doktorantëve të Departamentit të Gjeografisë, të cilët nëpërmjet referimeve përcollën arritjet e tyre kërkimore bazuar në një sërë tematikash interesante të lidhura me ҫështje të rëndësishme zhvillimore në vend dhe në përgjigjen e strategjive dhe objektivave të zhvillimit kombëtar me synimin për të orientuar vendimmarrjen dhe politikëbërjen në hapësira të ndryshme gjeografike. Departamenti i Gjeografisë i uron suksese të gjithë doktoranteve deri në përmbylljen me sukses të studimeve doktorale.
Një tjetër aktivitet i mbajtur në “Ditët e Gjeografisë 2024”, Departamenti i Gjeografisë ka zhvilluar konkursin e fotove më të mira të realizuara nga studentët e degës Gjeografi përgjatë javës së praktikës në terren. Ky konkurs ndihmoi në vazhdimin e punës për krijimin e “Arkivit Fotografik të Studentëve të Departamentit të Gjeografisë”, i cili po pasurohet për ҫdo vit me foto të realizuara nga stafi akademik dhe studentët. Ky konkurs përzgjodhi 21 foto fituese, nga 150 foto konkuruese, duke ndarë 21 certifikata për studentët të cilët morën pjesë në shtatë tematikat e vendosura të konkursit, si:
– Gjeografët dhe kapitali natyror i Shqipërisë
– Elementët fiziko – gjeografikë të Shqipërisë
– Hapësira socio – gjeografike shqiptare në vrojtimin tonë
– Shqipëria ime turistike: potenciale dhe probleme
– Urbanizimi në lenten e gjeografit
– Shtresëzimet kulturore të Shqipërisë
– Problemet mjedisore të Shqipërisë
Bashkëpunimi me studentët është rruga më e mirë për të krijuar punë të bukura për departamentin. Faleminderit të gjithë studentëve pjesëmarrës në këtë konkurs!
Më të fundit