26.4.2023

Zyra e Këshillimit të Karrierës organizoi “Javën e Këshillimit të Karrierës”, edicioni II


Më datat 24–26 prill 2023, Zyra e Këshillimit të Karrierës organizoi “Javën e Këshillimit të Karrierës”, edicioni II, me lektorë specialistë të ftuar nga fusha e Burimeve Njerëzore, të cilët ndanë njohuritë e tyre mbi tema specifike që lidhen me punësimin me studentët e Fakultetit.

Ky aktivitet u zhvillua çdo ditë nën kujdesin e zv.dekanes për Studentët, Dr. Elsa Rakipllari, dhe përgjegjësinë e përfaqësueses së Zyrës së Këshillimit të Karrierës, MSc. Blerina Gega.

“Java e Këshillimit të Karrierës” u organizua me qëllim t’u vinte në ndihmë studentëve të ciklit Bachelor dhe Master në orientimin e projektit të tyre profesional për të ardhmen. Sipas programit, u trajtuan tema të shumta si: hartimi i CV-së, letra prezantuese/motivuese, intervista e punës, kanalet e rekrutimit për gjetjen e një pune të përshtatshme me profilin e tyre, si edhe rëndësia e rrjeteve sociale dhe reputacioni që gëzon interneti në kohët dixhitale.

Gjithashtu, u trajtuan çështje që lidhen me vetëpunësimin dhe aftësitë e lidershipit, konkretisht zhvillimi i ideve sipërmarrëse, duke informuar studentët mbi mjetet financiare të nevojshme për realizimin e tyre. Vëmendje iu kushtua edhe rëndësisë së internshipeve dhe punës vullnetare, si elementë me vlerë të shtuar në CV-në e një studenti.

Në fund të këtij aktiviteti studentët e trajnuar u pajisën me certifikata pjesëmarrjeje, që u shpërndanë nga dekani i Fakultetit, prof.dr. Sabri Laçi, me pjesëmarrjen edhe të dy zv.dekanëve Elsa Skënderi Rakipllari dhe Andi Pinari.


 

The Faculty of History and Philology - All rights reserved