27.3.2024

Vizitë e Këshillit Studentor të Universitetit “Fehmi Agani”, Gjakovë


Vizituan ambientet e Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë studentë të ardhur nga Universiteti “Fehmi Agani”, Gjakovë, Kosovë, me ftesë të Këshillit Studentor të Fakultetit tonë.

Studentët nga Kosova u shoqëruan nga kryetarja e Këshillit Studentor, Desada Xhetani, si dhe nga anëtarë të tjerë të Këshillit, në një vizitë në ambientet e Fakultetit, ku patën mundësinë të njiheshin nga afër me Bibliotekën e Fakultetit, një nga bibliotekat universitare më të mëdha dhe më të pasura në vend.

Nën guidën e punonjësve të Bibliotekës, studentët u njohën me fondin libror dhe shërbimet që ofrohen, ndërsa më pas zhvilluan një bashkëbisedim në ambientet e saj. Gjatë takimit, ata ndanë eksperiencat mbi aktivitetet e Këshillave Studentorë, rolin e tyre në jetën universitare dhe përfitimet që sjell shkëmbimi i ideve përmes vizitave të tilla.

Studentët nga Kosova shoqëroheshin gjithashtu nga përfaqësues të Këshillave Studentorë të fakulteteve të tjera të Universiteti i Tiranës. Në përfundim, ata shprehën vullnetin për bashkëpunime të mëtejshme në të ardhmen, si shkëmbime studentore, themelimin e klubeve të përbashkëta dhe organizimin e konferencave studentore.

Të ftuarit u pritën edhe nga përgjegjësja e Zyrës së Këshillimit të Karrierës, Blerina Gega, me të cilën diskutuan mbi sfidat që paraqet sot tregu i punës për të rinjtë në të dyja vendet dhe mbi rëndësinë e përgatitjes profesionale përballë këtyre sfidave.


 

The Faculty of History and Philology - All rights reserved