28.10.2025

Universiteti i Tiranës nderon akademikun Sabri Hamit me titullin “Doctor Honoris Causa”


Akademik Sabri Hamiti është një nga figurat më të ndritura të kulturës, letërsisë dhe mendimit shqiptar bashkëkohor, poet, dramaturg, prozator, studiues, pedagog e dijetar e shquar, me ndikim të thellë në zhvillimin e letërsisë dhe të studimeve shqiptare, autor e studiues referencial i letërsisë dhe kulturës shqiptare të këtij gjysmë shekulli.

I lindur më 10 maj 1950 në Dumnicë të Podujevës, ai i përket brezit të intelektualëve që ndërtuan themelet e modernitetit bashkëkohor shqiptar. Pas përfundimit të studimeve në Universitetin e Prishtinës, Sabri Hamiti ndoqi studime të thelluara në Universitetin e Zagrebit dhe më pas në Paris, në École des Hautes Études en Sciences Sociales dhe Université de la Sorbonne, ku u specializua në fushën e teorisë letrare dhe letërsisë franceze. Në fillimet e karrierës, ai punoi si redaktor në shtëpinë botuese “Rilindja”, duke ndihmuar në afirmimin e shumë autorëve shqiptarë, ndërsa më vonë si profesor i letërsisë shqipe në Universitetin e Prishtinës u bë një figurë formuese për breza të tërë studentësh, studiuesish dhe krijuesish.

Si anëtar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, ai ka dhënë një kontribut të madh në fushën e kërkimeve shkencore dhe në mbrojtjen e identitetit kulturor shqiptar. Në vitin 2023, Sabri Hamiti u zgjodh anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, si vlerësim për veprimtarinë e tij të gjerë dhe ndikimin e thellë në shkencat humane.

Akademik Sabri Hamiti ka dhënë një kontribut të fuqishëm edhe në jetën politike të Kosovës e të kombit, nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, deputet i Kuvendit të saj në shtatë legjislatura.

Krijimtaria e tij përfshin më shumë se 40 vepra letrare dhe studimore, poezi, romane, drama, ese etj., të cilat përbëjnë një trashëgimi të çmuar për kulturën shqiptare. Disa prej tyre vijnë në vëllime poetike si Trungu ilir, Leja e njohtimit, Thikë harrimi, ABC, Melankolia, Sympathia, Kukuta e Sokratit; te tjera në dramatikë, si dramat Futa, Mission, Pasioni and Maja; romani 100 vjet vetmi etj.

Si studiues, leximet dhe interpretimet e Sabri Hamitit ndërthuren dhe ndërtojnë së bashku poetikën historike të letërsisë shqipe në studime si Variante, Arti i leximitBioletra, Tematologjia, AlbanizmaUtopia letrare, Testamenti, Enigma e poezisëStilografia etj.

Për gjithë këtë rrugëtim të pasur jetësor, akademik e krijues, Universiteti i Tiranës i dha me nderim akademikut  Sabri Hamiti, titullin Doctor Honoris Causa, si shenjë vlerësimi, respekti e mirënjohjeje për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në letërsinë shqipe, arsimin dhe kulturën kombëtare.

Një nderim për një jetë të përkushtuar ndaj gjuhës, mendimit dhe shpirtit shqiptar.


The faculty of History and Philology - all rights reserved