Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë, në bashkëpunim me Fakultetin e Gjuhëve të Huaja organizuan edicionin e katërt të “Panairit të Punës 2025”, i zhvilluar në ambientet e përbashkëta të dy fakulteteve.
Panairi mblodhi rreth 50 përfaqësues nga institucione publike, kompani private, agjenci punësimi dhe organizata të ndryshme, të cilat prezantuan mundësi për praktika profesionale dhe punësim për studentët. Aktiviteti synoi forcimin e bashkëpunimit mes fakulteteve dhe tregut të punës, duke krijuar hapësira për kontakte të drejtpërdrejta dhe informim mbi kërkesat reale të tregut.
Në fjalët përshëndetëse, Prof. Dr. Shezai Rrokaj, në emër të dekanit Prof. Dr. Mark Marku, theksoi rëndësinë e afrimit të institucioneve akademike me entet publike dhe private, si dhe rolin e Zyrave të Karrierës në këtë proces. Ndërsa Prof. Dr. Esmeralda Kromidha vlerësoi bashkëpunimin me bizneset dhe nënvizoi rëndësinë e kësaj tradite në përputhjen e programeve të studimit me zhvillimet e tregut të punës.
Panairi u organizua nga Zyrat e Këshillimit të Karrierës të dy fakulteteve dhe do të vijojë edhe në vitet në vazhdim.