2.6.2025

Nga ceremonia e certifikimit të studentëve në “Javën e Këshillimit të Karrierës”


Të pranishëm në ceremoni ishin dekani i Fakultetit, Prof. Dr. Mark Marku, i cili përshëndeti aktivitetin, këshillueset e karrierës së Fakultetit, znj. Blerina Gega dhe znj. Eglenta Liçi, si dhe studentët pjesëmarrës.
“Java e Këshillimit të Karrierës” organizohet në formën e një trajnimi, ku lektorët e ftuar janë ekspertë dhe profesionistë të spikatur, të cilët trajtojnë tema të rëndësishme për orientimin në karrierë të studentëve.
Në fjalën e tij, Dekani i Fakultetit, Prof. Dr. Mark Marku, falënderoi zyrën e Karrierës për organizimin e këtij aktiviteti. “Prej vitesh po përpiqemi të konsolidojmë zyrën e Karrierës dhe procesin e këshillimit të studentëve, duke e konsideruar këtë një komponent shumë të rëndësishëm. Qëllimi ynë është jo vetëm t’ju ofrojmë njohuri dhe informacion të vlefshëm, por edhe të nxisim një bashkëpunim më të ngushtë me aktorët e tregut të punës, në mënyrë që studentët tanë të jenë të privilegjuar dhe më të përgatitur për të ardhmen. Falënderoj Zyrën e Karrierës dhe ju qw e keni marrë seriozisht këtë proces, duke hedhur hapat e parë të njw procesi afatgjatë”.
Ndërkohë, këshilluesja e Karrierës, znj. Blerina Gega, përgëzoi studentët për përkushtimin e treguar gjatë kësaj jave, duke theksuar se Zyra e Karrierës do të vijojë të jetë pranë tyre për të lehtësuar integrimin në tregun e punës.
Java e Këshillimit të Karrierës do të vazhdojë rrugëtimin e saj, duke ofruar jo vetëm shërbimet bazë, por edhe mbështetje në fusha të ndryshme të lidhura me orientimin dhe zhvillimin e karrierës.


The faculty of History and Philology - all rights reserved