Library

Biblioteka e Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë është krijuar në vitin 1969, pas shkëputjes nga Biblioteka Shkencore e Universitetit të Tiranës. Ajo përfaqëson bibliotekën më të madhe dhe më të pasur universitare për nga numri i titujve dhe vlera e fondeve që bart. Me një sipërfaqe prej 710 metër katror, në fondet e saj gjenden rreth 160.000 ekzemplarë libra dhe rreth 7300 ekzemplarë periodikë.

Materialet që ofron Biblioteka e Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë janë në gjuhën shqipe dhe në gjuhë të huaja. Ato i takojnë fushave të ndryshme si: gjuhësisë, letërsisë, historisë, gjeografisë, gazetarisë, arkeologjisë dhe trashëgimisë kulturore, qytetërimit dhe kulturës, filozofisë, psikologjisë, fesë, folklorit, etnologjisë, sociologjisë, arsimit, politikës, artit etj.

Botimi më i hershëm në bibliotekën tonë mban titullin Ozorai Imre vitairata dhe i takon vitit 1535. Dy antikuarë të tjerë me vlerë janë: Historia vniversale dell’origine et imperio de Tvrchi i vitit 1568 dhe Pvblii Ovidii Nasonis In quo Fastorvm lib. VI, Tristivm V, De Ponto IV i vitit 1664.

Gjithashtu, pasuri e fondeve tona janë rreth 70 botime të viteve 1800-1900 (të kataloguara në sistemin Cobiss) të cilat i takojnë më së shumti fushave të gjuhësisë, letërsisë, historisë dhe gjeografisë së vendeve të Ballkanit dhe Europës e njëkohësisht u shërbejnë studiuesve si burime kërkimore në punimet monografike e shkrimet studimore në fushë të albano-balkanologjisë.

Pjesë e pasurisë së bibliotekës sonë janë dhe temat e disertacioneve të pedagogëve të fakultetit si dhe temat e diplomave të ciklit të studimeve Master shkencor.

Biblioteka pasurohet përmes blerjeve të titujve të rinj; përmes dhuratave nga institucione të ndryshme si dhe nga pedagogë apo dashamirës të librit.

Kjo bibliotekë është një qendër e rëndësishme në ndihmë të procesit mësimor dhe atij shkencor; në ndihmë të studentëve, pedagogëve dhe studiuesve të shkencave albanologjike. Rrjeti i gjerë i skedarëve (alfabetik për autorë dhe tituj, sistematik, topografik), i ngritur në vite si dhe bibliografitë e ndryshme i mundësojnë lexuesit akces në informacion të larmishëm dhe të saktë.

Krahas pasurimit të vazhdueshëm të katalogut manual, me synimin për t’u bërë pjesë e një “biblioteke pa kufij dhe pa mure”, punohet çdo ditë për pasqyrimin e këtij skedari në variantin elektronik, përmes sistemit të përbashkët bibliografik COBISS.Net, që mbështetet nga UNESCO dhe që mundëson shfletimin e informacionit bibliografik të të gjitha bibliotekave që bëjnë pjesë në të.

Në vitin 2014 Biblioteka u rikonstruktua duke përmirësuar rrënjësisht kushtet e mbajtjes dhe shfrytëzimit të koleksioneve, sallën e leximit, sistemin e ndriçimit, të ajrimit dhe të ngrohjes.

Biblioteka ka një sallë leximi me fonde të hapura, me kapacitet rreth 70 vende, që u vjen në ndihmë përdoruesve të bibliotekës për leximin e materialeve në kopje të vetme dhe studentëve e pedagogëve për punë në grup. Gjithashtu këtu zhvillohen veprimtari të ndryshme shkencore, aktivitete studentore etj.

Për shoqërinë e informacionit në të cilën jetojmë, sistemet bibliotekare janë infrastrukturë themelore e domosdoshme, jo vetëm në ndihmë të procesit të përditshëm mësimor dhe shkencor, por në ndihmë të formimit të qytetarit europian. Këtë mision, Biblioteka e Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë, e përmbush më së miri duke zënë vend pranë bibliotekave të përparuara të kohës edhe përtej kufijve.

Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë - Të gjitha të drejtat e rezervuara