Konferenca shkencore “Ndërhyrje inovative në procesin edukues: Si të formojmë një lexues të mirë?” – një risi e suksesshme e bashkëveprimit mes pedagogëve, kërkuesve shkencorë dhe mësuesve të sistemit arsimor shqiptar, u zhvillua dje në ambjentet e Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, me pjesëmarrjen e mësuesve të arsimit parauniversitar (AMU, AML) dhe praninë e përfaqësuesve nga institucionet mbështetëse: zëvendësministres së arsimit, znj. Orjana Osmani, drejtores nga drejtoria e programeve Kombëtare AKKSHI, Dr. Marsela Robo, zëvendësrektores së Universitetit të Tiranës prof.dr. Anila Paparisto, dekanit të fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, prof.dr. Mark Marku, grupit të punës së projektit drejtuar nga Prof.dr Linda Mëniku.
Konferenca trajtoi problemet kryesore të identifikuara në lidhje me të lexuarit, problematika që lidhen me të në arsimin tonë parauniversitar (AMU, AML), si dhe u paraqitën rezultatet e vlefshme të studimit me të njëjtin titull, mbështetur nga AKKSHI dhe UT. Specifikë dhe risi e rëndësishmë e kësaj konference ishte pjesëmarrja aktive e mësueseve dhe mësuesve më të suksesshëm të arsimit parauniversitar në lëndët e gjuhës shqipe dhe letërsisë, të cilët bashkuan pasionin shembullor të punës së përditshme në shkollë me përvojën e tyre konkrete e të çmuar në trajtimin e zbërthimin e disa prej tematikave kryesore të parashtruara gjatë konferencës si: Problematikat që lidhen me formimin e lexuesit të mirë; Metodat dhe teknikat që përdoren për nxitjen e mendimit krijues; Përdorimi i mjeteve digjitale dhe platformave të ndryshme; Potenciali për inovacion etj.
Nga ana e grupit të punës, i ngritur me pedagogë të Departamenteve të Letërsisë dhe të Gjuhësisë, krahas studimit kushtuar leximit, u paraqit edhe një udhëzues i vlefshëm për të gjithë mësuesit e sistemit parauniversitar, përmes të cilit ata do të mund të orientohen në trajtimin dhe zgjidhjen e disa prej problematikave kryesore që hasen sot në procesin mësimor.
Projekti dhe konferenca e zhvilluar në kuadër të tij, jo vetëm i arriti objektivat parësore, por do të shërbejë si një udhërrëfyes për mbarë arsimin parauniversitar.
Më të fundit