Këshilla për studentët: Stresi dhe ankthi para provimeve


Fillimi i sezonit të provimeve shpesh shoqërohet me stres dhe ankth tek studentët. Një nivel i moderuar stresi në fakt konsiderohet pozitiv dhe i dobishëm për të performuar mirë, sepse na ndihmon që të jemi më të pëëqëndruar dhe vigjilentë përpara një provimi. Por kur ankthi është shumë i fortë, mund të kemi vështirësi për të mësuar dhe mbajtur mend atë që na duhet të dimë për provimin, e kemi të vështirë të përqëndrohemi, apo dhe të tregojmë aftësitë dhe dijet  tona gjatë provimit. Por duhet të kemi parasysh se ankthi dhe stresi mund të menaxhohen. Edhe nëse gjendemi përballë përjetimeve të tilla të forta, secili prej nesh mund të ndërmarrë veprime për reduktimin e stresit dhe ankthit.

Disa nga shkaqet pse përjetojmë ankth përpara provimeve:

  • Eksperiencat negative të provimeve në të shkuarën
  • Menaxhimi jo i mirë i kohës
  • Mungesa e përgatitjes së mjaftueshme
  • Mungesa e besimit në vetvete
  • Pritshmëri të larta/perfeksionizëm
  • Frika nga dështimi
  • Kujdes i pakët për veten, gjumë jo i rregullt apo i pamjaftueshëm, dieta jo e shëndetshme, mosbërja e aktivitetit fizik etj.

 

Disa simptoma të stresit apo ankthit para provimeve mund të jenë:

  • Dhimbje koke
  • Rrahje të shpejta të zemrës
  • Dhimbje stomaku
  • Vështirësi për tu përqëndruar
  • Frikë
  • Mungesë shprese
  • Dyshim në vetvete/ vetëvlerësim i ulët
  • Zemërim/ nervozizëm/ axhitim etj

 

Ҫfarë mund të bëjmë për lehtësimin e stresit dhe ankthit?

  • Fillojmë të pranojmë ndjenjat e ankthit. Në thelb këto ndjenja tregojnë që ju shqetësoheni për provimin dhe që keni nevojë të përgtiteni
  • Sa më të planifikuar të jeni, aq më e lartë është mundësia të përgatiteni për një provim. Bëni një tabelë me planin e studimit, oraret, leksionet që do të mësoni brenda një ore, ose dite të caktuar etj.
  • Flini gjumë. edhe pse shpesh mund të planifikojmë të lexojmë natën, është tunduese sepse është qetësi, studimet tregojnë se redukton performancën akademike. Gjumi është shumë i rëndësishëm për qetësimin e mendjes, por edhe për të nxënin.
  • Ushqim i shëndetshëm. Dietë e balancuar, hidratimi, ushtrimet fizike, ekspozimi në diell, lëvizje të thjeshta si ecja, shëtitja, mund të ndihmojnë në reduktimin e ankthit.
  • Krijo mjedis të përshtatshëm studimi. Mundohu të kuptosh stilin tënd të të nxënit dhe kur jeni më produktivë, pasja e një rituali para studimit shpesh ndihmon, mjedis të qetë apo muzikë në sfond etj.
  • Shoqërizohu. Takoni miqtë tuaj, kolegë të kursit apo shoqëri të vjetra. Secili prej tyre mund të japë mbështetje, informacion, mund të ndani shqetësimet tuaja, por edhe thjesht takimi me ta mund t᾽iu ndihmojë të qëtësoheni dhe të lehëtësoni ngarkesën emocionale para provimeve.

Teknika për menaxhimin e stresit dhe ankthit nga provimet:

 

Përgatituni sa më mirë që të mundeni. Studioni mjaftueshëm dhe filloni sa më herët që të mundeni, përdorni teknika studimi që ju ndihmojnë të mësoni, kuptoni dhe të mbani mend informacionin.

 

Përdorni teknika të ndryshme relaksimi/ qëtësimi si:

  • Ushtrime të trajnimit të frymëmarrjes. Kur jemi të stresuar apo ankthiozë frymëmarrja jonë ndryshon, bëhet më e shpejtë dhe nuk furnizohemi mjaftueshëm me oksigjen. Përqendrimi në frymëmarrje mund të ndihmojë në lehtësimin e simptomave të ankthit (ngadalësimin e rrahjeve të zemrës) dhe mund të relaksojë trupin tonë në mënyrë që të mund të mendojmë përsëri qartë.

 

Frymëmarrja e thellë:

  • Merrni frymë ngadalë për 4 sekonda
  • Mbani frymën për 4 sekonda
  • Nxirrni frymën ngadalë për 4 sekonda

 Përsëriteni këtë derisa të ndjeni se simptomat tuaja fillojnë të lehtësohen.

- Kontrolli i mendimeve: Ndaloni mendimet tuaja - Kur arrini të kuptoni se mendimet negative po vlojnë në mendjen tuaj dhe tensioni po rritet brenda jush, atëherë ndaloni dhe thirrni STOP, çka do të bllokojë shqetësimin tuaj momentalisht. Imagjinoni - Filloni të imagjinoni apo ëndërroni për sjellje dhe veprime të tjera, në mënyrë të tillë që mendja juaj të mos ketë më vend për shqetësime. Mund të imagjinoni apo rikujtoni vende apo situata ku jeni ndjerë i qetë dhe i lumtur më parë.  Mendoni suksesin tuaj - Mendoni sikur keni përfunduar testin dhe jeni të bindur për rezultatet tuaja pozitive dhe keni përfunduar testin me sukses. Mendoni sikur jeni në auditor, keni marrë tezën në dorë dhe mund t’i përgjigjeni të gjitha pyetjeve me sukses. Mendoni që keni përfunduar me sukses dhe duhet të festoni. Sa më të larta të jenë pritshmëritë tuaja ndaj testit, aq më vigjilentë do të ndjeheni dhe aq më pozitive do të jenë rezultatet tuaja.


The Faculty of History and Philology - All rights reserved