24.02.2026

Takim me Ambasadorin e Republikës së Turqisë, Z. Tayyar Kağan Atay


"​Në ambientet e Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë u zhvillua një takim me Ambasadorin e Republikës së Turqisë, Shkëlqesinë e Tij, z. Tayyar Kağan Atay, ku morën pjesë Dekani i Fakultetit, Prof. Dr. Mark Marku, Drejtori i Institutit "Yunus Emre" në Tiranë, z. Oğuzhan Sakoğlu, pedagogë dhe studentë të fakultetit. Gjatë fjalës së tij, Ambasadori u ndal tek lidhjet historike dhe marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve, duke prekur bashkëpunimin në fushat e ekonomisë, transportit dhe kulturës. Ai iu dha rëndësi të veçantë mundësive për bursa studimi në Turqi, si dhe projekteve të përbashkëta në fushën e kërkimeve shkencore.
​Nga ana e tij, Dekani i Fakultetit, Prof. Dr. Mark Marku, vlerësoi marrëdhëniet e mira që institucioni mban me Ambasadën dhe Institutin e Gjuhës dhe Kulturës Turke "Yunus Emre" në Tiranë, duke vënë theksin tek organizimi i aktiviteteve të përbashkëta. Ai nënvizoi se këto iniciativa ngrenë ura bashkëpunimi frytdhënëse dhe hapin shtigje të reja për studime të mëtejshme, ndaj dhe vazhdimësia e këtij partneriteti mbetet thelbësore. Takimi vijoi me një bisedë të ngrohtë, ku studentët dhe pedagogët patën mundësi të bënin pyetje dhe të diskutonin lirisht me Ambasadorin Atay."


 

The Faculty of History and Philology - All rights reserved