Kryeministri Edi Rama në Departamentin e Gazetarisë dhe Komunikimit për përurimin e laboratorit të integruar të mediave digjitale
Departamenti i Gazetarisë dhe i Komunikimit hap laboratorin e integruar të mediave digjitale i mbështetur financiarisht nga Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit. Një hapësirë e re, me teknologjinë më të avancuar për studentët e Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë dhe jo vetëm. Në përurimin e këtij investimi mori pjesë kryeministri Edi Rama, Ministrja e Arsimit Ogerta Manastirliu, Rektori i Universitetit të Tiranës Prof. Dr. Artan Hoxha.
Dekani i FHF Prof. Dr. Mark Marku tha se ky laborator është një hapësirë ideale ku kombinohen radio, televizioni dhe mediat e reja, duke iu dhënë mundësi studentëve të mësojnë dhe të aplikojnë dijet e tyre. Në eventin e organizuar bashkë me drejtuesen e Departamentit të Gazetarisë dhe Komunikimit Prof. Asoc. Dr. Iris Luarasi ky projekt u cilësua si një moment kyç që bën transformimin nga teknologjia analoge drejt asaj digjitale me mundësi të pafundme për studentët dhe stafin akademik.
Kryeministri ishte i ftuari i parë në podcastin e studentëve ku ndau detaje nga ideja për mbylljen e TikTok, te Shqipëria si qendër digjitale dhe sfidat politike të vendit. Pas ceremonisë zyrtare ai zhvilloi një takim me ekipin drejtues të Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë.