30.9.2026

Përmbyllet me sukses Kursi i Gjuhës Shqipe për të Huajt


Në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë u organizua ceremonia e përfundimit të Kursit të Gjuhës Shqipe për të Huajt. Gjatë fjalës së tij, Dekani i Fakultetit, Prof. Dr. Mark Marku, shprehu mirënjohjen për studentët e huaj për pasionin dhe përkushtimin e treguar, si dhe falënderoi përzemërsisht stafin pedagogjik për profesionalizmin dhe angazhimin e palodhur në mësimdhënien e shqipes.

Nga ana e tij, Përgjegjësi i Departamentit të Gjuhës Shqipe falënderoi të gjithë pjesëmarrësit që zgjodhën pikërisht Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë për të mësuar shqipen, duke i ftuar ata të rikthehen sërish për të thelluar e avancuar më tej njohuritë e tyre.

🧭 Një udhëtim i paharrueshëm në juglindje të Shqipërisë

Përpara mbylljes zyrtare të kursit, studentët patën mundësinë të përjetonin nga afër pasurinë e trashëgimisë sonë përmes një vizite në juglindje të vendit:

📍 Në Lin (Pogradec): Nën drejtimin e specialistëve të kulturës së Bashkisë Pogradec, studentët vizituan Mozaikun e lashtë të Linit.

Një moment i veçantë ishte takimi në terren me arkeologët e mirënjohur Prof. asoc. dr. Adrian Anastasi dhe Prof. asoc. dr. Ilir Gjepali, si dhe me arkeologun gjerman Martin Hinz nga Universiteti i Kielit.

Ata i njohën studentët me zbulimet më të fundit të vendbanimit palafit "Lin 3":

  • Kërkimet e këtij viti konfirmuan një sipërfaqe prej rreth 6 hektarësh, duke e bërë Linin një nga sitet më të mëdha të këtij lloji në Ballkan.
  • Ekipi kërkimor po ndërthur kërkimet nënujore me studimet gjeofizike përgjatë bregut të liqenit, për të lidhur pjesën tokësore me atë nënujore të vendbanimit.
  • Drejtuesi i projektit, Adrian Anastasi, theksoi se laboratorët ndërkombëtarë në Oksford, Bernë, Kiel dhe Kopenhagë do të sjellin të dhëna të sakta shkencore mbi sitin dhe mjedisin e asaj kohe, duke përfshirë florën dhe faunën e lashtë.

📍 Në Tushemisht: Vizita u pasurua edhe me një ndalesë të këndshme në fshatin piktoresk të Tushemishtit, ku studentët patën rastin të njihen me kinematografinë shqiptare duke vizituar statujën e Teto Ollgës, personazhit të paharrueshëm të filmit të njohur "Zonja nga qyteti".

📍 Në Korçë: Udhëtimi vijoi në qytetin e Korçës, ku pjesëmarrësit vizituan Muzeun Kombëtar të Artit Mesjetar. Nën mikpritjen dhe drejtimin e drejtoreshës së muzeut, znj. Fjoralba Prifti, studentët u njohën nga afër me kryeveprat e artit ikonografik dhe vlerat e rralla të traditës sonë mesjetare.

Në Voskopojë: Udhëtimi vijoi me një ndalesë me vlera të mëdha historike dhe arsimore në Voskopojë. Studentët vizituan mjediset e Akademisë së Re, institucionit të famshëm të shekullit të XVIII që e shndërroi këtë qendër në një vatër të rëndësishme të dijes, kulturës dhe iluminizmit në mbarë rajonin.

I urojmë suksese të mëtejshme çdo studenti që mori pjesë në këtë kurs.

Dyert e Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë mbeten gjithmonë të hapura për ju! 📚🌐


 

Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë - Të gjitha të drejtat e rezervuara