11.5.2026

Prof. Kacper Krzeczewski ndan eksperiencën polake mbi agenda-setting dhe framing me studentët e gazetarisë në UT

Në Departamentin e Gazetarisë dhe Komunikimit, Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë, Universiteti i Tiranës, u zhvillua një leksion i hapur me profesorin polak Kacper Krzeczewski, qe vjen nga universiteti Jan Kochanowski University of Kielce, Poloni, në kuadër të programit Erasmus+ për mobilitetin akademik.
Leksioni u zhvillua me studentët e vitit të tretë Bachelor në programin Gazetari dhe Komunikim, në kuadër të lëndës “Etika e medias dhe deontologjia e gazetarit”, të zhvilluar nga prof.asoc.dr. Ramadan Çipuri.
Tema kryesore e prezantimit ishte “Agenda-setting dhe framing në median polake”, me fokus të veçantë në mënyrën se si televizionet informative në Poloni kanë trajtuar fushatat presidenciale. Gjatë leksionit u diskutuan konceptet kryesore të teorisë së agenda-setting dhe framing-ut, si dhe mënyrat se si media ndikon jo vetëm mbi çështjet për të cilat publiku mendon, por edhe mbi mënyrën se si ai i interpreton ngjarjet dhe çështjet publike.
Profesor Krzeczewski prezantoi gjithashtu pesë kornizat kryesore të framing-ut të përdorura në analizën e lajmeve televizive: konfliktin, interesin njerëzor, përgjegjësinë, moralin dhe ekonominë, duke i ilustruar ato me shembuj nga sistemi mediatik polak dhe nga zgjedhjet presidenciale në Poloni.
Leksioni u shoqërua me diskutime interaktive me studentët mbi ngjashmëritë dhe dallimet mes sistemit mediatik polak dhe atij shqiptar, si edhe mbi sfidat bashkëkohore të mediave në kushtet e ndikimit të metrikave, algoritmeve dhe logjikës së audiencës në ndërtimin e agjendës mediatike.
Kjo vizitë akademike synon të forcojë bashkëpunimin ndëruniversitar dhe shkëmbimin e përvojave në fushën e gazetarisë dhe komunikimit, duke kontribuar në ndërkombëtarizimin e procesit mësimor dhe kërkimit shkencor.

Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë - Të gjitha të drejtat e rezervuara