Workshop “Hyrje në Remote Sensing” për studentët e Departamentit të Gjeografisë
Departamenti i Gjeografisë i Universitetit të Tiranës në bashkëpunim të ngushtë e të frytshëm me kompaninë GjeoVjosa zhvilloi një trajnim intensiv të fokusuar tek teknikat praktike të Remote Sensing. Trajnimi u zhvillua në Laboratorin GIS të Departamentit të Gjeografisë, i ndërtuar me programin Erasmus+. Në këtë trajnim morën pjesë 34 studentë, pjesa më e madhe e të cilëve nga Masteri Profesional “GIS i aplikuar”, por edhe nga Masteri Shkencor ne Gjeografi si edhe nga program Bachelor Gjeografi. Trajnimi kishte 8 orë praktikë, dhe u zhvillua gjatë fundjavës duke mos penguar procesin e rregullt mësimor. Trajnimi u hap nga Përgjegjësi i Departamentit të Gjeografisë Prof.dr. Romeo Hanxhari dhe në përfundim të tij trajnimi u nderua edhe nga pjesëmarrja e Dekanit të Fakultetit Prof.dr. Sabri Laçi. Studentët u trajnuan nga Ing. Spartak Likaj dhe St.Ing. Endri Qershija, të kompanisë GjeoVjosa. Kjo kompani, partnere vullnetare në këtë bashkëpunim në interes të studentëve, operon prej shumë vitesh në fushën e topogjeodezisë si edhe është pioniere në atë të remote sensing. Remote Sensing është një teknikë e avancuar e përpunimit të imazheve satelitore, e cila ofron të dhëna të hollësishme në një kohë të shkurtër dhe me kosto të ulët. Kjo teknikë përdoret gjerësisht në botë, por në Shqipëri është ende në hapat e para. Studentët e trajnuar përfituan teknikat e nevojshme për të punuar me programin QuantumGis në remote sensing, dhe në fund u pajisën me certifikata.
Kjo përvojë e trajnimeve ekstrakurrikulare të studentëve të apasionuar pas teknikave moderne të përpunimit të të dhënave do të vazhdojë të konsolidohet nga Departamenti i Gjeografisë në bashkëpunim me të gjithë partnerët që do të kenë të njëjtin vullnet për bashkëpunim në interes të rritjes profesionale të studentëve dhe të përgatitjes së tyre për tregun e punës.