Vendimi Nr. 84, datë 27.10.2018, “Për akreditimin e Universitetit të Tiranës” 

Bordi i Akreditimit, bazuar në Ligjin Nr. 80, datë 17.09.2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, Ligji Nr. 8480, datë 27.5.1999 “Për Funksionimin e Organeve Kolegjiale të Administratës Shtetërore dhe Enteve Publike”, Vendimin e Këshillit të Ministrave Nr. 109, datë 15.02.2017 “Për organizimin dhe funksionimin e Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë e të Bordit të Akreditimit dhe për përcaktimin e tarifave për proceset e sigurimit të cilësisë në arsimin e lartë”, Vendimin e Bordit të Akreditimit, Nr. 1, datë 07.04.2017, “Për mbylljen e procedurave të mbartura për shkak të riorganizimit të Institucioneve të Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë” , Vendimin e Bordit të Akreditimit, Nr. 2, datë 07.04.2017, “Për përcaktimin e kohëzgjatjes dhe afateve të vlefshmërisë së akreditimit në kuadër të vendimmarrjes për akreditimin e Institucioneve të Arsimit të Lartë dhe Programeve të Studimit”, dhe Vendimin e Bordit të Akreditimit, Nr. Ekstra 1, datë 02.02.2018 “Për miratimin e Rregullores së Bordit të Akreditimit”, në mbledhjen e tij të datës 27.10.2018, në kuadër të vendimmarrjes për akreditimin periodik institucional të Institucionit të Arsimit të Lartë “Universiteti i Tiranës”, me të dhënat si më poshtë:

  1. Emërtimi i Institucionit të Arsimit të Lartë: “Universiteti i Tiranës”
  2. Organizimi i Institucionit: Publik
  3. Lloji i Institucionit: Universitet
  4. Njësitë kryesore të Institucionit:
    1. Fakulteti i Shkencave të Natyrës
    2. Fakulteti i Gjuhëve të Huaja
    3. Fakulteti i Drejtësisë
    4. Fakulteti i Shkencave Sociale
    5. Fakulteti i Historisë dhe Filologjisë
    6. Fakulteti i Ekonomisë
    7. Instituti i Studimeve Europiane
    8. Instituti i Fizikës Bërthamore të Zbatuar
    9. Dega Sarandë
    10. Dega Kukës
  5. Akti zyrtar i hapjes/licensimit: Vendim i Këshillit të Ministrave Nr. 201, datë 30.05.1957
  6. Akreditimi i parë: Vendim i Bordit të Akreditimit Nr. 62, datë 21.09.2017

pasi mori në shqyrtim:

  1. Dokumentacionin e Vetëvlerësimit, përfshirë të dhënat e përgjithshme institucionale, Raportin e Vetëvlerësimit dhe dokumentacionin mbështetës;
  2. Dokumentacionin e Vlerësimit të Jashtëm, përfshirë Raportin e Vlerësimit të Jashtëm, dhe dokumentacionin shtesë;
  3. Vlerësimin e cilësisë në përmbajtje, të kryer nga Grupi i Vlerësimit të Jashtëm, i përbërë nga ekspertë të huaj dhe vendas;
  4. Rezultatet e Vlerësimit të Jashtëm Institucional;
  5. Procedurën e vlerësimit të ndjekur dhe monitoruar nga ASCAL;
  6. Komunikimin e vërejtjet e Institucionit në kuadër të këtij procesi;
  7. Raportin e Vlerësimit të Jashtëm dhe rezultatet e akreditimit të parë të këtij Institucioni të Arsimit të Lartë;

konstaton se:

  1. Procedura dhe procesi i vlerësimit janë kryer në përputhje me parashikimet ligjore dhe nënligjore, procedurën dhe afatet e përcaktuara nga ASCAL për këtë proces;
  2. Vlerësimi në përmbajtje është i mbështetur në Dokumentacionin e Vetëvlerësimit, Vlerësimin e Jashtëm dhe gjetjet e verifikimet gjatë vizitës në Institucion;
  3. Raporti është hartuar në përputhje me kërkesat dhe i mbështetur me fakte, të dhëna e dokumentacion plotësues;
  4. Institucioni ka përmbushur pjesën më të madhe të rekomandimeve të lëna nga akreditimi i parë;
  5. Rezultatet e vlerësimit të akreditimit periodik janë nxjerrë në përputhje me gjetjet: pikat e forta, pikat e dobëta dhe afirmimet e identifikuara e verifikuara përmes dokumentacionit dhe vizitës në Institucion;
  6. Rekomandimet e lëna janë në koherencë me gjetjet si dhe shkallën e përmbushjes së standardeve të cilësisë për Institucionin në fjalë;
  7. Rezultatet e Vlerësimit të Jashtëm në lidhje me shkallën e plotësimit të Standardeve Shtetërore të Cilësisë për Akreditimin e Institucioneve të Arsimit të Lartë në Republikën e Shqipërisë, sipas fushave janë: Fusha 1 “përmbushen plotësisht”, Fusha 2 “përmbushen plotësisht”, Fusha 3 “përmbushen plotësisht”, Fusha 4 “përmbushen kryesisht”, Fusha 5 “përmbushen plotësisht”, ndërsa vlerësimi i përgjithshëm “përmbushen plotësisht”, me mangësitë si më poshtë:
    1. Një sistem jo i plotë i menaxhimit të informacionit në rang Universiteti, përfshirë atë që lidhet me të dhënat e studentëve;
    2. Mungesa e kulturës së debatit në organet kolegjiale, për një proces të koordinuar, të paanshëm dhe konstruktiv të vendimmarrjes në vijim;
    3. Mungesa e një politike institucionale për vlerësimin dhe përmirësimin e cilësisë së mësimdhënies dhe kërkimit, si dhe e kritereve të posaçme dhe transparencës në alokimin e fondeve të kërkimit tek departamentet dhe grupet kërkimore shkencore;
    4. Mungesa e një politike formale për identifikimin e plagjiaturës dhe sjelljeve të tjera jokorrekte akademike;
  8. Vlerësimi përfundimtar i Grupit të Vlerësimit të Jashtëm për cilësinë akademike për këtë Institucion është Pozitiv.

Mbështetur mbi rezultatet dhe arsyetimin e mësipërm, Bordi i Akreditimit,

VENDOSI:

  1. Vlerësimin Përfundimtar  POZITIV për Institucionin e Arsimit të Lartë, “Universiteti i Tiranës”, me rekomandimet sipas Shtojcës së këtij Vendimi.
  2. Akreditimin Institucional të Institucionit të Arsimit të Lartë, “Universiteti i Tiranës”, me kohëzgjatjen prej 4 (katër) vite.
  3. Afati përfundimtar i vlefshmërisë së akreditimit të Institucionit është 26/10/2022.
  4. Ngarkohet Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë për zbatimin e këtij Vendimi, publikimin dhe lëshimin e certifikatës se akreditimit brenda një muaji nga data e marrjes së këtij vendimi, si dhe monitorimin e rekomandimeve sipas Shtojcës bashkëlidhur.

Ky Vendim hyn në fuqi menjëherë.

BORDI I AKREDITIMIT

Shtojca

Rekomandime

Universiteti i Tiranës duhet të ndjekë përmbushjen e rekomandimeve dhe masave të mëposhtme për përmirësim, të identifikuara nga ekspertët e grupit të vlerësimit e të renditura sipas prioritetit kohor të adresimit të tyre:

  1. Institucioni, brenda vitit akademik 2018-2019, të plotësojë dhe shtrijë sistemin e menaxhimit të informacionit dhe bazën e të dhënave për studentët, në të gjitha njësitë e Institucionit, duke përfshirë në të monitorimin e përfshirjes së studentëve në tregun e punës, aktiviteteve kërkimore shkencore dhe trajnuese.
  2. Institucioni, brenda dy viteve të ardhshme akademike, të ndërmarrë hapa për të siguruar krijimin e një mjedisi të koordinuar, bashkëpunues dhe konstruktiv që mundëson debatin dhe diskutimin në të gjitha organet kolegjiale të Institucionit, vendimmarrjen në mënyrë profesionale dhe kolegjiale për të siguruar një qeverisje dhe menaxhim efektiv e efikas.
  3. Institucioni, brenda dy viteve të ardhshme akademike, të hartojë dhe vërë në zbatim një politikë formale për plagjiaturën dhe sjellje të tjera akademike, si çështje prioritare.
  4. Institucioni, brenda dy viteve të ardhshme akademike, të hartojë dhe zbatojë një politikë për vlerësimin e cilësisë së mësimdhënies e kërkimit, si dhe kritereve formale zyrtare për alokimin dhe shpërndarjen e fondeve për kërkimin shkencor në nivel fakulteti dhe departamenti, si dhe një mekanizëm që inkurajon departamentet për të gjeneruar fonde kërkimore përmes projekteve dhe aktiviteteve të tjera.

Në përmbushje të sa më lart, Universiteti i Tiranës duhet të hartojë një Plan Veprimi konkret për përmbushjen e rekomandimeve të mësipërme dhe ta dorëzojë atë brenda 6 muajve pranë Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë.

Ngarkohet ASCAL për ndjekjen e përmbushjes së këtyre rekomandimeve dhe raportimin në BA brenda afatit të përcaktuar në Planin e Veprimit.

Shpërnda lajmin: