Organizimi i procesit të mbledhjes së dokumentacionit për studentët që përfitojnë bursa, përjashtim apo reduktim të tarifave të shkollimit, për vitin akademik 2023-2024, do të organizohet në 2 faza: 

Faza e parë: Në platformën Microsoft Teams – përveç njoftimeve zyrtare në faqen zyrtare të FHF/UT – do të hidhen 3 formularë aplikimi për studentët:

Formulari për studentët që aplikojnë për përfitimin e bursës ekonomike (Cikli i I-rë i studimeve Bachelor),

Formulari për studentët që aplikojnë për përjashtim/reduktim të tarifave të shkollimit (Cikli i I-rë i studimeve Bachelor),

Formulari për studentët që aplikojnë për reduktim të tarifave të shkollimit (Cikli i II-të i studimeve Master (MP& MSH),
Këto formularë do të plotësohen nga studentët e interesuar, sipas hapave të përcaktuara në to, duke shkarkuar dokumentat justifikues përkatës për çdo kategori aplikimi.

Dokumentat që do të shkarkohen do të jenë origjinalë lëshuar nga Institucionet përgjegjëse. Bashkë me formularët do të jetë on line dhe një vetëdeklarim i studentit që aplikon, për origjinalitetin e dokumentacionit dhe mbajtjen e përgjegjësisë së tij ligjore, në rast se vërtetohet e kundërta.

Afati i plotësimit të formularit on line dhe shkarkimit të dokumentacionit do të jetë 25 Tetor 2023.

Theksojmë: Studentët formularët do ti plotësojnë në paltformën Microsoft Teams, ku të gjithë kanë një llogari të hapur.

Faza e dytë: Do të konsistojë në dorëzimin e dokumentacionit origjinal nga ana e studentëve që kanë aplikuar on line dhe grumbullimin e sistemimin e këtij dokumentacioni për efekt ligjor dhe auditues nga Dega e Shërbimeve.
Dorëzimi i dokumentacionit origjinal do të bëhet në 2 mënyra:

Ose në kutitë postare që do të vendosen në ambientet e fakultetit, që do tu japin mundësinë secilit student të dorëzojë dokumentacionin në zarf të mbyllur, ku të jenë shkruar sipër zarfit: emri i studentit, programi ku studion, e-maili, numri i celularit dhe numri i llogarisë bankare në Bankën Raiffeisen për studentët që aplikojnë për bursë. Me këtë formë dorëzimi, edhe plotësohet kriteri ligjor i dorëzimit të dokumentacionit origjinal, edhe jepen të dhënat e studentit për tu kontaktuar për çdo sqarim a saktësim dhe të dhënat bankare.

Ose me Shërbimin e Postës Shqiptare, me pagesë, për ata studentë që duan ta kryejnë dorëzimin e dokumentacionit origjinal në mënyrë individuale nëpërmjet postës.

Afati i dorëzimit të dokumentacionit origjinal është 31 Janar 2024, sepse pas kësaj date fillon procesi i grumbullimi i tarifave të shkollimit për vitin akademik 2023-2024.


Në rast se specialistët – që kanë detyrë funksionale shqyrtimin e dokumentacionit origjinal të bursave dhe përjashtimit/ reduktimit të tarifave të shkollimit – vërejnë se ka mospërputhje dokumentacioni me formularin e aplikimit, ose pasaktësi në dorëzimin e dokumentave origjinale, komunikojnë me e-mail, ose celular me studentin e konstatuar për sqarimet përkatëse.

Kur vërtetohet falsifikimi i dokumentacionit, rasti i paraqitet Dekanatit të FHF-së për propozim për marrjen e masave ndëshkimore bazuar në Ligjin e Arsimit të Lartë të RSH, Statutin e UT-ës dhe Kodin Civil të RSH.

Pas shqyrtimit të dokumentacionit dhe verifikimit në Njësitë Administrative lokale, si dhe me ardhjen e miratimit zyrtar nga Bordi i Administrimit të UT-ës do të publikohen emrat e studentëve përfitues të bursës ekonomike, të cilët duhet të dërgojnë numrin e llogarisë bankare të hapur pranë Bankës Raiffeisen në formularët përkatës on-line.
Vendim për organizimin e punës së mbledhjes së dokumentacionit dhe informimit të studentëve për trajtimin me bursë, përjashtim/reduktim nga tarifa e shkollimit për vitin akademik 2023-2024 klikoni këtu për vendimin e plotë