21.9.2024

U zhvillua në Tiranë Workshopi ndërkombëtar “Gjeografia dhe përdorimi i instrumenteve për zhvillimin e qëndrueshëm lokal”


Në datat 16-20 shtator 2024, Departamenti i Gjeografisë i Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë në Universitetin e Tiranës, në kuadër të anëtarësimit të tij në rrjetin GEOREGNET të CEEPUS, organizoi dhe zhvilloi Shkollën Verore me tematikën: “Gjeografia dhe përdorimi i instrumenteve për zhvillimin e qëndrueshëm lokal.”

Në këtë aktivitet morën pjesë 10 profesorë nga Franca, Hungaria, Republika Çeke, dhe Shqipëria, si dhe 27 studentë nga Republika Çeke, Hungaria, Kosova, Sllovenia, Rumania, Bosnje & Hercegovina, Polonia dhe Shqipëria.

Shkolla Verore u përshëndet nga Prof. Dr. Mark Marku, Dekan i Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë; Dr. Pavel Ptacek, Koordinator i rrjetit GEOREGNET-CEEPUS; Prof. Dr. Sokol Axhemi, Kryetar i Senatit Akademik; Prof. Dr. Romeo Hanxhari, Drejtues i Shkollës Verore dhe Zv. Dekan për Kërkimin Shkencor; Prof. Asoc. Dr. Sonila Sinjari, Drejtore e Departamentit të Gjeografisë.

Në fjalët e tyre respektive, u theksua rëndësia që kanë ndërmarrjet e tilla akademike jo vetëm për Departamentin e Gjeografisë dhe Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë, por mbi të gjitha në kuadër të internacionalizimit të Universitetit të Tiranës, rritjes së standardeve akademike dhe krijimit të mundësive të reja për studentët dhe stafet akademike.

Gjatë 5 ditëve të shkollës verore u organizuan këto punime:

  • Prof. Pavel Ptacek (Republika Çeke), Koordinator i GEOREGNET

Shkollat verore të GEOREGNET-CEEPUS: Një përvojë e rëndësishme për studentët

  • Prof. Sokol Axhemi, Prof. Romeo Hanxhari, PhD Cand. Dritan Lloci (Shqipëri)

Hyrje, orientim dhe organizimi i shkollës verore; prezantimi i konkurseve të fotove dhe eseve për studentët

  • Prof. Romeo Hanxhari, PhD Edlira Kola Caro (Shqipëri)

Hyrje e shkurtër në Gjeografinë e Shqipërisë dhe në strategjitë e saj për zhvillim të qëndrueshëm.

  • Prof. Josef Novotny (Republika Çeke)

Hyrje në “Vlerësimin e ndërhyrjeve zhvillimore”

  • Prof. Pierre Frustier (Francë, online)

Itineraret Kulturore të Këshillit të Europës: Krijimi, qëllimet, rëndësia dhe përdorimi i tyre

  • Prof. Romeo Hanxhari, Prof. Sokol Axhemi (Shqipëri)

Itineraret Kulturore të Këshillit të Europës si instrumente të zhvillimit të qëndrueshëm dhe potencialet e tyre në Shqipëri për zhvillimin lokal

  • Prof. Romeo Hanxhari, Dr. Esmiralda Kolaneci (Shqipëri)

Ekskursion studimor gjysmëditor në qytetin e Tiranës për rrugët kulturore dhe potencialet për nisma të zhvillimit lokal (në këmbë dhe me biçikletë)

  • Prof. Gal Zoltan (Hungari)

Financat e qëndrueshme: Një këndvështrim gjeografik në një botë në ndryshim

Analizë rasti: Identifikimi i pabarazive dhe ndikimeve gjeografike

  • Prof. Denes Lóczy (Hungari)

Bujqësia e qëndrueshme: Koncepti dhe përvoja nga projektet Horizon 2020

  • PhD Edlira Kola Caro (Shqipëri)

Zhvillimi lokal përmes agroturizmit në Shqipëri: Rasti i fermës së hapur “Mrizi i Zanave” – Sapa, Lezhë

  • Prof. Romeo Hanxhari, Prof. Dr. Sokol Axhemi, Dr. Esmiralda Kolaneci, PhD Cand. Dritan Lloci (Shqipëri)

Ekskursion studimor njëditor në Bashkinë e Lezhës, që përfshiu pritjen në Bashki, vizitën në Memorialin e Skënderbeut, zonën bregdetare të Shëngjinit, zonën bregdetare të Tales, dhe në fermën e hapur “Mrizi i Zanave”. Ky ekskursion u mbështet nga Bashkia e Lezhës dhe kryetari i saj Pjerin Ndreu.

Workshopi u shndërrua cdo ditë në një laborator idesh për instrumentat e zhvillimit të territorit dhe metodat e inserimit të tyre në strategjitë lokale të zhvillimit të qëndrueshëm, dhe u mbyll me sukses.

Klikoni këtu për programin...


 

Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë - Të gjitha të drejtat e rezervuara