Thirrje për aplikim për pjesëmarrje në Konferencën Shkencore Ndërkombëtare “Gjeografia, edukimi, inovacioni: Aftësimi i të rinjve për të ardhmen”
Më 15 dhjetor 2023, Departamenti i Gjeografisë i Universitetit të Tiranës zhvillon Konferencën Shkencore Ndërkombëtare me titull “Gjeografia, edukimi, inovacioni: Aftësimi i të rinjve për të ardhmen”. Janë të mirëpritur të aplikojnë për pjesëmarrje të gjithë të interesuarit në fushën e mësimdhënies dhe të kërkimit shkencor në Gjeografi dhe fusha të ngjashme.
Gjeografia është një shkencë dinamike, që ofron njohuri thelbësore për botën ku jetojmë dhe marrëdhëniet shoqëri-mjedis. Në një kohë kur zhvillimet teknologjike dhe ndryshimet socio-ekonomike e mjedisore po ndodhin me ritme të shpejta, gjeografisë dhe edukimit gjeografik i lind detyra të përdorë të gjithë potencialin kërkimor të saj, duke e ndërthurur me mundësitë e digjitalizimit dhe të prurjes së inovacionit, për të formuar te brezat e ardhshëm njohuri, aftësi, vlera dhe qëndrime pozitive. Zhvillimet më të fundit kanë sjellë mundësi të shumta për përdorimin e teknologjisë, që nga ajo thelbësisht gjeografike, lidhur me sistemet e informacionit gjegorafik dhe imazhet satelitore, deri te platformat, aplikacionet, realiteti virtual apo inteligjenca artificiale. Këto zhvillime paraqesin një potencial të madh për mbledhjen, përpunimin, vizualizimin, analizën dhe interpretimin e të dhënave gjeografike, si dhe për mbështetjen e modaliteteve bashkëkohore të të nxënit me bazë teknologjinë digjitale. Megjithatë, ato shoqërohen edhe me sfida për aftësimin e mësimdhënësve dhe studentëve/nxënësve për t’i përdorur këto risi në mënyrë efektive dhe kreative. Gjithashtu, në kushtet e një të ardhmeje të ndikuar nga zhvillimet teknologjke, sfidat mjedisore dhe nevoja për zhvillim të qëndrueshëm, është e rëndësishme të pajisim të rinjtë me aftësitë e nevojshme për t’u orientuar dhe për të vepruar drejt në lidhje me këto çështje komplekse.
Në këtë prizëm, konferenca synon të hedhë dritë mbi pikëtakimet e gjeografisë, edukimit dhe inovacionit, si dhe mbi kontributin në krijimin e aftësive, qendrimeve dhe vlerave në institucionet e sistemit arsimor parauniversitar dhe universitar, me fokus të veçantë edhe te mësuesit, që kanë nevojë për edukim në vazhdim dhe përditësim në pedagogjinë inovative.
Konferenca pritet të bashkojë specialistë, akademikë, mësues e studentë të gjeografisë dhe të fushave të përafërta, për të diskutuar dhe shkëmbyer ide dhe risi në fushën e edukimit, për të ndarë praktikat më të mira dhe për t’u frymëzuar mbi qasje të reja në edukimin gjeografik. Një sesion i veçantë në konferencë do t’i kushtohet referimeve të mësuesve të AML-së dhe ekspertëve të arsimit, të cilët do të kenë mundësi të sjellin këndvështrimin dhe përvojën e tyre në këtë tematikë.
Objektivat kryesore të konferencës janë:
- të eksplorojë trendet e reja në fushën e gjeografisë dhe aplikimin e tyre në edukimin gjeografik;
- të evidentojë aftësitë thelbësore të nevojshme që rinjtë duhet të zotërojnë për t’i përgjigjur sfidave gjeografike në ndikimin e zhvillimeve teknologjike;
- të promovojë, në këndvështrimin e gjeografisë, rolin e universitetit dhe të institucioneve të arsimit parauniversitar në trajtimin e problematikave dhe sfidave me të cilat ndeshet shekulli XXI, si dhe në përqafimin e inovacionit.
Konferenca do të fokusohet në këto tematika:
Inovacioni në mbledhjen dhe përpunimin e të dhënave gjeografike: Mbledhja dhe përpunimi i dhënave gjeografike, analiza dhe përdorimi i tyre për të zgjidhur sfida gjeografike, janë procese që po përsosen vazhdimisht falë progresit të teknologjisë. Këtu mund të përmendim përdorimin e imazheve satelitore, realitetit virtual, sensorëve gjeografikë dhe pajisjeve të tjera për të regjistruar dhe dokumentuar informacionin gjeografik. Është e rëndësishme që këto inovacione të integrohen në edukimin gjeografik.
Pedagogjia inteligjente në edukimin gjeografik: Mësimdhënësit përdorin teknologjinë për të transferuar më mirë njohuritë, për të personalizuar mësimin dhe për ta përshtatur sipas nevojave të çdo studenti/nxënësi dhe kërkesave të kohës. Kjo përfshin përdorimin e platformave, aplikacioneve dhe mjeteve të tjera interaktive për të krijuar një mjedis të nxëni dinamik dhe tërheqës. Të tilla qasje nxitin bashkëpunimin dhe komunikimin mes studentëve/nxënësve, rritin aktivizimin e tyre dhe mundësojnë performancë më të lartë akademike.
Roli i universitetit në edukimin në vazhdim dhe në integrimin e teknologjisë dhe inovacionit në fokusin e edukimit gjeografik: Universiteti ka si mision jo vetëm edukimin dhe kërkimin, por edhe përmirësimin e cilësisë së jetës dhe përcjelljen e vlerave të komunitetit. Universiteti kërkon të behet më efektiv, efiçent dhe përgjegjës ndaj nevojave të shoqërisë. Ai synon të krijojë kompetenca te brezat e rinj dhe te mësimdhënësit aktualë e të ardhshëm, duke përdorur inovacionin, me qëllim qe ata të konsolidojnë formimin e tyre profesional dhe personal.
Edukimi gjeografik për shekullin XXI: Sfidat me të cilat përballet planeti ynë dhe shoqëria njerëzore në shekullin XXI janë shumëfishuar dhe ndërlikuar progresivisht. Ndryshimet klimatike, zhvillimet gjeopolitike, tendencat e forta migratore, degradimi i burimeve natyrore, thellimi i pabarazive zhvillimore globale, përpjekjet për zhvillim të qëndrueshëm, si dhe shumë cështje të tjera madhore, në nivel global, rajonal e lokal, trajtohen së pari nga gjeografia, si në sistemin universitar, ashtu edhe atë parauniversitar. Përshtatja e studimeve gjeografike me fokus edukimin në drejtim të këtyre problematikave, përveçse përfaqëson një nevojë aktuale, hap edhe perspektiva të rëndësishme kërkimore.
Gjeografia bashkëkohore dhe aftësitë e gjelbra: Tematika si: identifikimi i aftësive dhe njohurive të nevojshme për të adresuar sfidat mjedisore dhe për të promovuar zhvillimin e qëndrueshëm, integrimi i qëndrueshmërisë dhe i ndërgjegjësimit mjedisor në kurrikulën gjeografike, hulumtimi i metodologjive dhe i strategjive të mësimdhënies për të adresuar ndryshimet klimatike dhe mbrojtjen e mjedisit, si dhe zhvillimi i aftësive të nevojshme për planifikimin e qëndrueshëm të përdorimit të tokës dhe të menaxhimit të burimeve, duhet të jenë sot boshtet kryesore kërkimore të gjeografisë.
Organizator:
Departamenti i Gjeografisë, Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë, Universiteti i Tiranës
Rregullat e pjesëmarrjes:
- Aplikimi i realizohet nëpërmjet dërgimit të një abstrakti, sipas udhëzimeve të dhëna (shih më poshtë).
- Çdo autor mund të paraqitet vetëm në një punim si autor i parë ose i vetëm, por mund të jetë bashkautor edhe në një punim të dytë.
- Autorët aplikues duhet të jenë të paktën doktorantë në proces. Nga ky rregull bëjnë përjashtim mësuesit e AML-së dhe ekspertët e arsimit që do të aplikojnë sesionin e veçantë të konferencës, të cilët mund të jenë me gradën Master.
Data të rëndësishme:
Afati i dërgimit të abstrakteve: 10 nëntor 2023
Njoftimi për pranimin/ripunimin e abstrakteve: 15 nëntor 2023
Ridërgimi i abstrakteve të ripunuara: 20 nëntor 2023
Zhvillimi i konferencës: 15 dhjetor 2023
Udhëzimet për paraqitjen e abstrakteve
Aplikimi në konferencë kryhet nëpërmjet dërgimit të abstraktit në adresën e emailit gjeo.konferenca@fhf.edu.al, brenda datës 10 nëntor 2023. Mirëpriten kontribute që lidhen me tematikën e konferencës dhe fokusohen në aftësitë e nevojshme për të ardhmen në fushën e edukimit gjeografik. Përparësi kanë aplikimet e fokusuara në rezultate të studimeve empirike, studime të rasteve, demonstrime praktike dhe ide inovative që reflektojnë zhvillimet e fundit të fushës.
Abstrakti dërgohet në formatin Word dhe duhet të përmbajë titullin, emrin e autorit/autorëve, institucionin përfaqësues, si dhe adresën e emailit. Abstrakti nuk duhet të tejkalojë 250 fjalë. Në brendësi duhet të evidentohen qartë objekti i studimit, qëllimi i punimit dhe metodologjia e ndjekur, si dhe 5-6 fjalë kyçe. Krahas versionit në gjuhën shqipe, abstrakti duhet të paraqitet edhe në gjuhën angleze.
Rregullat e formatimit të abstraktit:
- Lloji i shkrimit: Times New Roman
- Madhësia e shkrimit: 12 pt
- Titulli i artikullit dhe emërtesa “Abstrakt”: Bold
- Emri i autorit/-ëve : Emër MBIEMËR (me footnote: Grada/Titulli/ Institucioni/adresa elektronike zyrtare)
- Fjalët kyçe: Italics