Takim – homazh në përkujtim të Profesor Llambro Filos
Një takim – homazh i organizuar nga Departamenti i Historisë në kujtim të historianit e profesorit të nderuar Llambro Filo, në përvjetorin e shtatëdhjetë e tetë të lindjes së tij.
Në mjediset e Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë të Universitetit të Tiranës, ku Profesor Llambro Filo pati formuar dhe edukuar breza të tërë historianësh, pedagogësh e mësuesish, në prani të familjarëve, u mblodhën drejtues të Fakultetit, kolegë, bashkëpunëtorë, studentë dhe ish studentë për të përnderuar, krejt ndryshe, figurën e dashur të Profesor Llambro Filos. Me admirim, vlerësim e jo rrallëherë me mallëngjim, njëri pas tjetrit, Dekani i Fakultetit, Prof. Dr. Sabri Laçi, Drejtuesja e Departamentit të Historisë dhe njëherësh nismëtarja e këtij përkujtimi, Prof. Dr. Valentina Duka, Prof.Dr. Paskal Milo, Drejtuesi i Departamentit të Gjuhës, Prof. Dr. Sezai Rokaj, Drejtuesi i Departamentit të Gjeografisë, Prof. Dr. Romeo Hanxhari, Prof. Dr. Petrit Nathanaili, Prof.Dr. Ajet Shahu, Dr. Juliana Marko, profesorë e pedagogë të Departamenteve të Historisë, Gjeografisë, Gazetarisë, Gjuhës dhe Letërsisë u përkulën me nderim përpara kujtimit të njeriut të urtë e shpirtgjerë, profesorit erudit e të mençur, shkrimtarit të dashur e krijues, mikut të shtrenjtë e të rrallë.
Profesor Llambro Filo ka qenë përmbi katër dekada pjesë e rëndësishme e Katedrës së Historisë Botërore, duke kontribuuar me përkushtim si pedagog, si shef i Katedrës së Historisë Botërore, si Zv. Dekan i Fakuletit të Historisë dhe Filologjisë, si udhërrëfyes shkencor e mbi të gjitha si studiues i çmuar në fushën e sistemeve politike bashkëkohore. Si një ndër shënjuesit kryesorë të kësaj fushe, ai la pas vetes një trashëgimi tejet të vlefshme studimore. Nga pena e profesorit kanë dalë dhjetëra studime, tekste universitare e shkollore mbi sistemin e demokracisë liberale, platformave ideore bashkëkohore, shtetin e mirëqenies sociale dhe, së fundmi, tranzicioneve demokratike. Sot rrallëherë mund të gjesh njerëz që jetojnë e frymojnë për historinë, studimin, thellimin e vazhdueshëm të njohurive në terrene të moçme e të reja, për mendjen e hapur, dinamizmin ridimensionues, çeljen e shtigjeve metodologjike në format bashkëkohore të interpretimit.
Për fat të keq, me ikjen e tij të beftë e të parakohshme komuniteti universitar humbi një nga profesorët më të nderuar, ndërsa studentëve ju këput njëra nga fijet më të rëndësishëm të komunikimit me të kaluarën. Auditorët do të jenë më të varfët pa Profesor Llambro Filon.