Zyra e Këshillimit të Karrierës


Të dashur studentë të Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë!

Të kërkosh një punë është një sipërmarrje e bukur, por edhe sfiduese. Ajo kërkon përkushtim, informacion dhe njohuri specifike për tregun ku dëshironi të përfshiheni. Kërkimi i punës dhe planifikimi i karrierës nuk duhet të jenë rezultat i rastësisë, por procese të menduara dhe të strukturuara mbi bazën e një analize të thelluar që secili i bën vetes, aftësive dhe synimeve të tij profesionale.

Aftësitë e fituara gjatë ciklit të studimeve universitare janë shumë të rëndësishme, por kur hyni në tregun e punës, fokusi duhet të zgjerohet drejt analizës së këtij tregu: për degën në të cilën jeni diplomuar, për figurat profesionale që kërkohen dhe për kompetencat që duhet të vihen në pah.

Këshilla e parë që ju japim është të reflektoni mbi interesat dhe pasionet tuaja. Mendoni cilat janë aktivitetet që ju përfshijnë plotësisht dhe ju bëjnë të ndiheni të realizuar. Filloni të analizoni vlerat tuaja profesionale. Disa synojnë rritjen në karrierë, disa të tjerë preferojnë të japin kontribut në shoqëri, ndërsa të tjerë i japin përparësi përfitimit financiar. Nuk ka vlera profesionale të drejta apo të gabuara — ka vetëm zgjedhje dhe projekte personale, mbi të cilat duhet të reflektoni me vetëdije.

Zyra e Këshillimit të Karrierës pranë Fakultetit ju vjen në ndihmë pikërisht në këtë proces reflektimi dhe orientimi profesional. Ajo synon t’ju udhëheqë në rrugën drejt karrierës, duke u mbështetur në formimin tuaj akademik dhe në pikat e forta të personalitetit tuaj.

Zyra funksionon si Career Desk, një shërbim këshillimi i drejtpërdrejtë dhe i vazhdueshëm, i cili ju ndihmon në ndërtimin e një CV-je profesionale, hartimin e një letre motivimi, përgatitjen për intervista pune, kërkimin e ofertave aktive në tregun e punës dhe mënyrën më të mirë të prezantimit profesional jashtë dyerve të Fakultetit.

Zyra e Këshillimit të Karrierës pranë Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë ofron këto shërbime:

  1. Shërbimi Career Desk – mirëpret çdo ditë studentë për konsulencë të drejtpërdrejtë, me qëllim ndërtimin efektiv të vetë-marketingut dhe përgatitjen për tregun e punësimit. Kjo realizohet përmes temave:
    a) Si të shkruajmë një e-mail zyrtar pune;
    b) Si të hartojmë një letër motivimi;
    c) Zgjedhja dhe hartimi i modelit të CV-së;
    d) Llojet e intervistave të punës;
    e) Sjellja dhe komunikimi gjatë intervistës;
    f) Rëndësia e hapjes së një profili LinkedIn.
  2. Orë informuese në grup – në ditë dhe orare të caktuara zhvillohen takime me tema specifike mbi karrierën dhe kanalet e rekrutimit.
  3. “Java e Këshillimit të Karrierës” – aktivitet me ekspertë të jashtëm, ku trajtohen çështje që lidhen me tregun e punës dhe zhvillimin profesional.
  4. Panairi i Punësimit – synon krijimin e hapësirave të nevojshme që institucione, kompani, agjenci dhe OJF të prezantojnë ofertat e tyre dhe pritshmëritë ndaj studentëve.
  5. Alumni – përmes “Pyetësorëve të Punësimit” synohet njohja e rrugëtimit profesional të ish-studentëve, duke krijuar një bazë të dhënash të vlefshme për analizën e kërkesave të tregut të punës dhe përmirësimin e programeve të studimit.

Na gjeni në rrjetet sociale:

Facebook: FHF - Zyra e Këshillimit të Karrierës

Instagram: Zyra_e_karrieres_fhf

 

 

 

Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë - Të gjitha të drejtat e rezervuara