Studentët e Departamentit të Historisë: Nismë rikthim lexim jashtë klase
Studentët e Departamentit të Historisë, në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë, nën drejtimin dhe mbështetjen e pedagoges Dr. Esmeralda Kolaneci, gjatë muajve gusht-shtator 2021 ndërmorën Nismën ≠rikthimleximjashtëklase, e cila konsistonte në sensibilizmin e të rinjve për të lexuar gjatë pushimeve të verës, si dhe shtimin e librave në bibliotekat e tyre. Në kuadër të kësaj nisme, sot në ambientet e Fakultetit u mbajt takimi me autorin e librit të përzgjedhur, Z. Blendi Fevziu.
E pranishme në këtë takim, Zv/dekania për marrëdhëniet me studentët në FHF, Dr. Elsa Skënderi, përshëndeti nismën, që, sipas saj, në këtë kohë shpërqëndrimesh të shumta virtuale, shërbeu për të ndërgjegjësuar studentët e jo vetëm, për rëndësinë e të lexuarit, duke përdorur pikërisht rrjetet sociale. Ajo përgëzoi Dr. Esmeralda Kolanecin për përkushtimin e saj për t’i nxitur e drejtuar studentët drejt librit dhe falënderoi në mënyrë të posaçme, autorin e ftuar, Blendi Fevziu, i cili është edhe një ndër ALUMNI-t e shquar të Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë.
Ideatorja dhe organizatorja e Nismës ≠rikthimleximjashtëklase, pedagogia Esmeralda Kolaneci, shprehu kënaqësinë dhe përgëzimet e saj për energjinë që studentët patën, për dëshirën dhe kërshërinë e tyre jo vetëm për të lexuar, por edhe për të diskutuar nga afër me autorin e librit. Ajo vlerësoi si tejet të rëndësishme, që studentët zgjodhën librin “Pushteti, Magjia, makthet dhe fundi i tij”, pasi në themel të kësaj vepre qëndronin detajet historike, ndërthurur në mënyrë harmonike me letërsinë. Duke lexuar librin, një student i historisë menjëherë mund të hiqte vijën ndarëse midis reales dhe fiction-it, dilemë që të mban ngërthyer deri në faqet e fundit të librit.
Nga ana tjetër, autori i ftuar, z. Blendi Fevziu përgëzoi studentët dhe iniciatorët e kësaj nisme dhe nënvizoi se duhet të kthehet vëmendja te libri dhe të rritet ndërgjegjësimi te grupmoshat e reja për rëndësinë e leximit të librave. Gjatë bashkëbisedimit, z. Fevziu foli për raportin që njeriu krijon me pushtetin. Nisur edhe nga përvoja e gjatë e tij si gazetar politik në Shqipëri, pas viteve ‘90, ai shtoi, se çelësi i suksesit është të bësh punën që do dhe gjetja e balancës e pasioni i derdhur pa kursim në çdo iniciativë të ndërmarrë.
Në përgjigje të pyetjeve të shumta që iu drejtuan nga studentët, Z. Fevziu foli për raste të njerëzve të pushtetshëm, nga historia e Shqipërisë dhe e botës, për letërsinë dhe autorët e preferuar, si dhe për karrierën e tij si gazetar, që asnjëherë nuk është tunduar për të pasur pushtet prej një pozicioni shtetëror a politik.
Nisma #rikthimleximjashtëklase dhe takimet si ky i sotmi, synojnë të gjallërojnë përvojat e studentëve në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë, duke u shndërruar edhe në traditë në të ardhmen.