Shpërndarja e sallave dhe disa udhëzime e sugjerime për organizimin e procesit mësimor në FHF gjatë semestrit të parë të vitit akademik 2020-2021
Dekanati i FHF-së, i mbledhur më datë 29.10.2020, vendosi të propozojë pasqyrën e përgjithshme të shpërndarjes së sallave, sipas godinave dhe degëve, si dhe disa udhëzime dhe sugjerime lidhur me organizimin e procesit mësimor.
- Pasqyra e shpërndarjes së sallave
Udhëzime dhe sugjerime
- Nëse gjendet mirëkuptimi me studentët dhe pedagogët, mund të zhvillohet mësim edhe të shtunave (vendimin duhet ta marrin njësitë bazë). Zëvendësimet e orëve të humbura në ditët e pushimeve do të bëhen vetëm të shtunave.
- Nuk përjashtohet mundësia e leksioneve në auditor. Madje, për programin Master në GIS të aplikuar dhe ndonjë program tjetër me pak studentë dhe karakter aplikativ, ato duhet të mbizotërojnë.
- Ndarja në godina nuk përjashton përdorimin nga secila degë të laboratorëve dhe sallave të dedikuara, por pa cenuar Protokollin e masave antiCOVID-19. Këtë kusht e plotësojnë disa programe master, prandaj sugjerohet që ato t’u lihen në dispozicion atyre.
- Çdo dege duhet t’i lihet në dispozicion të paktën një sallë e madhe, ku mund të sistemohet një grup mësimor me deri 35 studentë.
- Studentët (grupet mësimore) do të qëndrojnë në të njëjtat salla deri në përfundimin e mësimit. Sallat do të pastrohet, higjienizohet dhe qëndrojnë me dritare e dyer hapur për jo më pak se një orë, para se të fillojë turni i pasdites (programet master në mësuesi etj.).
- Sugjerojmë që mësimi të fillojë në 08.30 ose në 09.00, për të shmangur grumbullimet dhe konfuzionin, meqenëse matja e temperaturës së çdo studenti dhe anëtari të stafit akademik (detyrim absolut) kërkon kohë.
- Java e parë do t’i dedikohet komunikimit me studentët e viteve të para.
- Ditën e parë, komunikimi me studentët e vitit të parë do të bëhet sipas agjendës së miratuar nga Dekanatit, të shpallur në mjediset e fakultetit, si dhe të publikuar në Faqen Zyrtare dhe në FB-në e FHF-së. Stafet dhe studentët kanë detyrimin të respektojnë me korrektësi orarin dhe masat mbrojtëse antiCovid-19. Ceremonitë nuk do të zgjasin më shumë se 30 minuta.
- Gjatë gjithë javës, drejtuesit dhe pedagogët e njësive bazë do të vazhdojnë komunikimin me grupet e studentëve të degëve përkatëse, sipas agjendave të parapërgatitura prej tyre.
- Gjithashtu, gjatë javës së parë, drejtuesit dhe stafet e njësive bazë do të organizojnë komunikime me studentët e viteve të tjera (bachelor dhe master), në mënyrën dhe vendin e zgjedhur prej tyre, me qëllim që ata të jenë të përfshirë në procesin e fillim vitit. Edhe orët në dispozicion të leksioneve online do të përdoren për këtë qëllim. Përgjegjësit e departamenteve do të udhëzojnë paraprakisht pedagogët për çështjet që do t’u sqarohen studentëve (prezantime të lëndëve, sqarime, orientime, përdorimi i infrastrukturës etj…..).
- Stafi i Bibliotekës do të gjejë hapësirën e nevojshme për t’i njohur studentët me funksionimin e saj, ndërsa laborantet dhe stafi i Sekretarisë Mësimore do të jetë në dispozicion të drejtuesve të departamenteve për orientimin e studentëve.
- Çdo njësi bazë do të përgatisë orarin e mësimeve, duke respektuar hapësirat në dispozicion. Përgjegjësja e Zyrës IT do të jetë e gatshme për të ndihmuar në këtë proces (identifikimi i sallave në dispozicion dhe kombinimet e mundshme etj.).
- Meqenëse janë parashikuar tre dite në javë për seminare, sugjerohet që t’i lihet një ditë çdo viti mësimor (paradite: bachelor I, II, III; pasdite: master profesional I, II; master i shkencave III:).
- Sugjerohet që grupet e mëdha të ndahen përgjysmë, ashtu si dhe ora e mësimit, me qëllim që t’u përshtaten kapaciteteve të sallave.
- Në rastet kur nuk gjendet hapësirë e mjaftueshme, pasi disa grupe janë shumë të mëdha, do të shihet si zgjidhje zhvillimi i seminareve online. Kjo formë duket më e mundshme për lëndët me karakter teorik.
- Një kopje e orarit do të dorëzohet në dekanat ditën e hënë, datë 02.11.2020, ora 12.00, me qëllim që të verifikohet dhe të shpallet në Faqen Zyrtare dhe FB-në e FHF-së.