Shkolla Verore e Osmanishtes, 10-22 korrik 2017
Shkolla Verore e Osmanishtes, organizuar nga Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë, me mbështetjen e Institutit të Gjuhës dhe të Kulturës Turke “Yunus Emre” në Tiranë, zhvillohet si vazhdimësi e së njëjtës shkollë mbajtur një vit më parë. Ajo synon t’u mundësojë studentëve të nivelit Bachelor, të degëve të Historisë dhe Gjuhë-Letërsisë, përvetësimin e osmanishtes, në mënyrë që më pas ata të jenë në gjendje të transkriptojnë dokumentacione me rëndësi të veçantë historike, që gjenden në arkiva.
Këtë vit, Shkolla Verore e Osmanishtes do të zhvillohet në dy nivele:
- Niveli fillestar
- Niveli i avancuar
Për çdo nivel do të pranohen nga 22 studentë.
Për hartimin e programit jemi mbështetur në përvojën e mëparshme, në nevojat që kanë studentët për këtë lloj dijeje, si dhe në nevojat që kanë arkivat dhe rrethet shkencore për përgatitjen e studiuesve në fushë të studimeve osmane.
Leksionet do të zhvillohen pranë Fakultetit të Historisë e të Filologjisë, si dhe pranë Bibliotekës së Qendrës së Gjuhës dhe të Kulturës Turke “Yunus Emre” në Tiranë.
Programi mësimor do të realizohet në auditor dhe jashtë tij.
Programi në auditor përmban:
- Leksione për mësimin e osmanishtes (1).
- Leksione për mësimin e osmanishtes (2).
- Leksione me njohuri të zgjeruara për historinë e periudhës së Perandorisë Osmane.
- Leksione mbi ndikimet gjuhësore të osmanishtes në gjuhën shqipe dhe gjuhët e tjera të Ballkanit.
- Leksione mbi shkrimet e vjetra të shqipes me këtë alfabet.
Leksionet e osmanishtes do të mbahen nga pedagogë turq, të ardhur nga Universiteti i Stambollit (Istanbul Universitesi), në Turqi.
Programi jashtë auditorit përmban:
- Vizitë në Arkivin Shtetit dhe bisedë informuese për dokumentacionin zyrtar dhe fermanët që gjenden aty.
- Vizitë në Muzeun Historik Kombëtar.
- Ekspedita në qytetet ku ndeshen gjurmë të arkitekturës osmane, si në Berat dhe Shkodër, ku do të punohet në terren për leximin e shkrimeve të vjetra me alfabet osman.
Në përfundim të kësaj shkolle, verore studentët do të përgatisin nga një ese me tematika brenda kësaj fushe studimi, do të japin testin e gjuhës osmane, sipas nivelit të ndjekur dhe do të pajisen me certifikatën përkatëse.