Shkolla verore e Gjuhës, Historisë dhe Civilizimit Bizantin: Trashëgimia Kulturore Bizantine dhe Pabizantine në Shqipëri


Apliko tani >>

Shkolla verore e Gjuhës, Historisë dhe Civilizimit Bizantin organizohet nga Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë i Universitetit të Tiranës, dhe mirëpret, pa pagesë, studentë të ciklit të parë (Bachelor) dhe të dytë të studimeve (Master) nga Departamenti i Historisë dhe departamentet e tjera të Fakultetit të Historisë dhe i Filologjisë, si edhe studentë të tjerë të interesuar, nën moshën 35 vjeç, që dëshirojnë të vijnë në kontakt dhe të njohin më thellë gjuhën greke bizantine, historinë dhe artin bizantin, si edhe trashëgiminë kulturore bizantine dhe pasbizantine në Shqipëri.

Shkolla verore do të zhvillohet nga data 23 shtator – 1 tetor 2024, në mjediset e Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë të Universitetit të Tiranës, ndërsa një pjesë e leksioneve dhe e referateve do të mbahen në mjediset e institucioneve kulturore të vendit (Arkivi Qendror Shtetëror, Muzeu Kombëtar Ikonografik “Onufri”, etj.).

Shkolla verore, përmes leksioneve dhe referateve, do t’i pajisë pjesëmarrësit me njohuritë e nevojshme mbi historinë dhe civilizimin bizantin, gjuhë zyrtare e së cilit ishte greqishtja, si edhe mbi historinë dhe trashëgiminë kulturore të Shqipërisë gjatë periudhës së Bizantit, pjesë e pandarë i të cilit vendi ynë ishte përreth 10 shekuj.

Shkolla verore zhvillohet nën përkujdesjen shkencore të Departamentit të Historisë me pjesëmarrjen e Profesor Agamemnon Tselikas, autoritet botëror për studimet bizantine. Stafi akademik përbëhet nga profesorë dhe studiues të shquar nga institucione prestigjioze të studimeve bizantine, nga Departamenti i Historisë i Universitetit të Tiranës si dhe bashkëpunëtorë të jashtëm të tij, me përvojë të gjerë në fusha që lidhen me gjuhën greke, historinë dhe civilizimin bizantin dhe pasbizantin.

Shkolla verore zhvillohet nën drejtimin shkencor, përgjegjësinë dhe koordinimin e z. Andi Rembeci, pedagog në Departamentin e Historisë.

Përmes leksioneve dhe referateve, studentët do të kenë mundësi të mësojnë më shumë rreth temave:

  1. Historia e gjuhës dhe e shkrimit grek bizantin
  2. Studime për arbrit gjatë mesjetës bizantine
  3. Dy kodikë të Gjeografisë së Ptolemeut (kodiku i Vatopedit, shek. XIII dhe kodiku i Bibliotekës Marciana, shek. XV).
  4. Mbishkrimet në greqisht në territorin e Shqipërisë
  5. Kronografia bizantine: kodiku i dekoruar kronografik i Joan Skilicit, shek. XIII
  6. Trashëgimia jo materiale e Bizantit në Shqipëri: Arti i Muzikës Bizantine
  7. Monumente të arkitekturës bizantine dhe pasbizantine në Shqipëri
  8. Arti i pikturës bizantine dhe pasbizantine në Shqipëri.
  9. Eksponate të trashëgimisë bizantine dhe pasbizantine në Muzeun “Onufri”, Berat
  10. Tekste bizantine në librat e shtypur të bibliotekave të Beratit
  11. Kalaja bizantine e Beratit
  12. Dokumentet arkivore bizantine dhe diplomatika.
  13. Duke shfletuar Bizantin nga Shqipëria: Kodikë-Tekste-Art
  14. Bizanti dhe Rilindja: kodikë të shek. XV
  15. “Bizanti pas Bizantit” në hapësirën shqiptare
  16. Erotizmi dhe Bizanti. Epigramet erotike të Antologjisë Palatine.
  17. Libërlidhja e kodikëve të dorëshkruar bizantinë.

Programi i Shkollës Verore, përveç pjesës teorike, përmban edhe aktivitete të tjera, si vizita të organizuara në vendet historike të periudhës, njohjen nga afër me monumentet, veprat e artit dhe koleksionet muzeore të trashëguar nga periudha bizantine dhe pasbizantine etj. Kështu, jashtë auditorëve, programi parashikon këto aktivitete shoqëruese:

  1. Vizitë në Arkivin Qendror Shtetëror dhe njohja me kodikët dhe dokumentet në gjuhën greke.
  2. Koncert me interpretime të muzikës bizantine nga kori bizantin “Joan Kukuzeli” me drejtues z. Theodhor Peci.
  3. Udhëtim mësimor drejt qytetit-muze mesjetar të Beratit dhe vizita në Muzeun Kombëtar Ikonografik “Onufri”, kalanë mesjetare të Beratit, kishat bizantine dhe pasbizantine të kalasë-monumente kulture etj.

Numri total i pjesëmarrësve në shkollën verore do të jetë 40 vetë.

Aplikimet për shkollën verore kryhen online në faqen e internetit të Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë (www.fhf.edu.al) deri edhe më dt. 20 shtator 2024.

Me përfundimin e shkollës verore, të gjithë studentët do të pajisen me certifikata të pjesëmarrjes.

Apliko tani >>


Shpërnda lajmin: