Shkolla e parë Verore e Gjuhës, Historisë dhe Civilizimit Bizantin

Poster-1 Page 2

Shkolla e parë Verore e Gjuhës, Historisë dhe Civilizimit Bizantin organizohet nga Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë i Universitetit të Tiranës dhe Fondacioni Kulturor i Bankës Kombëtare të Greqisë (National Bank οf Greece Cultural Foundation), një ndër institucionet kulturore më prestigjioze të Greqisë për zhvillimin e Letrave, Artit dhe Shkencës. Shkolla verore mirëpret studentë, të ciklit të parë (Bachelor) dhe të dytë të studimeve (Master) nga Departamenti i Historisë, por edhe studentë të tjerë të interesuar, që dëshirojnë të vijnë në kontakt dhe të njohin më thellë gjuhën greke, historinë dhe artin bizantin, si edhe trashëgiminë kulturore bizantine dhe pasbizantine në Shqipëri.

Shkolla verore do të zgjasë 7 ditë, nga data 13-21 korrik 2017. Mësimet do të zhvillohen në mjediset e Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë të Universitetit të Tiranës, ndërsa një pjesë e leksioneve dhe e referateve do të mbahen në mjediset e institucioneve kulturore të vendit (Arkivi Qendror Shtetëror, Muzeu Historik i Tiranës, Amfiteatri dhe Muzeu Arkeologjik në Durrës, Manastiri Bizantin i Apolonisë etj.).

Shkolla verore ofron mësime intensive të gjuhës greke bizantine në nivelin fillestar për studentë pa njohuri paraprake ose me njohuri bazike të ndonjë forme të gjuhës greke. Pjesëmarrësit do të pajisen me njohuritë dhe aftësitë e nevojshme për të ndërmarrë hapat e parë në leximin e teksteve greke të periudhës bizantine. Gjithashtu, duke qenë se morfologjia dhe sintaksa që studentët do të mësojnë nuk është shumë e ndryshme nga ajo e Greqishtes Klasike të vjetër, mësimet janë gjithashtu një përgatitje e përshtatshme për leximin e teksteve klasike.

Një tipar i veçantë i Shkollës Verore është mundësia që do t’u krijohet studentëve për të ndërthurur  njohuritë teorike gjuhësore me ushtrimin praktik përmes dokumenteve dhe kodikëve të dorëshkruar nga koleksioni i çmuar bizantin dhe pasbizantin (shek. VI-XIX) i Arkivit Qendror Shtetëror. Gjatë mësimit të gjuhës, studentët do të përballen që në fillim me tekste bizantine, ndërkohë që do të familjarizohen me fjalorin specifik të periudhës, pjesa dërrmuese e të cilit është po aq i dobishëm për qasjen e teksteve greke parabizantine.

Në të njëjtën kohë, Shkolla Verore, përmes leksioneve dhe referateve që do të mbahen nga profesorë dhe studiues prej institucioneve greke dhe Universitetit të Tiranës, pjesëmarrësit do të pajisen me njohuritë e nevojshme mbi historinë dhe civilizimin bizantin, gjuhë zyrtare e së cilit ishte greqishtja, si edhe mbi historinë dhe trashëgiminë kulturore të Shqipërisë gjatë periudhës bizantine, pjesë e pandarë e së cilës vendi ynë ishte përreth 10 shekuj.

Stafi mësimor përbëhet nga profesorë dhe studiues të shquar nga institucione prestigjioze të studimeve bizantine të Greqisë, nga Departamenti i Historisë i Universitetit të Tiranës si dhe bashkëpunëtorë të jashtëm të tij, me përvojë të gjerë në fusha që lidhen me gjuhën, historinë dhe civilizimin bizantin dhe pasbizantin.

Programi i Shkollës Verore, përveç pjesës teorike, përmban edhe aktivitete të tjera, si vizita të organizuara në vendet historike të periudhës, njohjen nga afër me monumentet, veprat e artit dhe koleksionet muzeore të trashëguar nga periudha bizantine dhe pasbizantine etj.

Numri total i pjesëmarrësve në shkollën verore do të jetë 25 vetë.

Aplikimet për shkollën verore do të kryhen deri edhe më dt. 10 korrik 2017Apliko tani…

Me përfundimin e shkollës verore, të gjithë studentët do të fitojnë 2 kreditë ekstra-kurrikularë dhe do të pajisen me certifikata të pjesëmarrjes.

 

Shpërnda lajmin: