Rektori i UT-së, Prof. Dr. Artan HOXHA takim me Asamblenë e FHF-së në prag të vitit akademik 2023-2024


Më datë 28.09.2023, Rektori i UT-së, Prof. Dr. Artan HOXHA, ishte në FHF, për të komunikuar me stafin akademik lidhur me arritjet e vitit akademik 2022-2023 dhe sfidat e UT-së për të ardhmen.

Dekani i FHF-së, Prof. Dr. Sabri LAÇI, pasi i uroi Rektorit mirëseardhjen dhe falënderoi stafin akademik të FHF-së për pjesëmarrjen në takim, nënvizoi disa nga arritjet e UT-së, nën drejtimin e Rektorit HOXHA, si: zhbllokimi i procesit të mbrojtjes së doktoratave dhe të pajisjes së studentëve me NIM; riorganizimi, modernizimi dhe hapja e programeve të reja të studimeve në të tria nivelet; përgatitja dhe miratimi i një sërë programesh studimi në gjuhën angleze;  si dhe realizimi i marrëveshjeve me partnerë kombëtarë e ndërkombëtarë dhe krijimi i kushteve për programe studimi të përbashkëta dhe diploma të dyfishta; akreditimi i UT-së për një periudhë gjashtëvjeçare; dhjetëfishimi i numrit të pedagogëve të angazhuar në projekte universitare, kombëtare dhe ndërkombëtare; rritja e pagave të stafit akademik; shtimi i mobiliteteve ndërkombëtare për studentët dhe pedagogët; kualifikimi i vazhdueshëm i stafit akademik etj.

Rektori i UT-së, Prof. Dr. Artan HOXHA vlerësoi performancën e stafit akademik të FHF-së, duke nënvizuar rolin e tij në promovimin e UT-së. “Është një fakultet i zëshëm, jo vetëm sepse në strukturën e tij funksionon Departamenti i Gazetarisë dhe Komunikimit, por edhe sepse në FHF ka intelektualë me peshë në artikulimin e çështjeve me rëndësi për UT-në dhe shoqërinë shqiptare”, nënvizoi Rektori.

Në vijim, Prof. Dr. A. HOXHA informoi pjesëmarrësit mbi angazhimin e UT-së për zgjerimin e bashkëpunimit me partnerë ndërkombëtarë dhe përfshirjen e UT-së në konsorciume, projekte e programe, duke synuar arritjen e standardeve europiane në mësimdhënie, kërkim shkencor, publikime etj. “Ndërkombëtarizimi është dhe do të jetë fjala kyçe në punën tonë, në kushtet kur Shqipëria po përgatitet për t’u anëtarësuar në BE”, theksoi Rektori.

Një nga sfidat për UT-në gjatë vitit të ri akademik është angazhimi jo vetëm i autoriteteve drejtuese, por i çdo anëtari të stafit për prezantimin e potencialit të çdo njësie bazë dhe të perspektivave që çelin programet që ato ofrojnë për punësim dhe karrierë akademike e profesionale për studentët, të cilët duhet jenë gjithmonë preokupimi ynë kryesor. Maturantët, prindërit e tyre, shoqëria dhe institucionet shtetërore duhet të informohen për mundësitë tona dhe rolin që universitetit i takon të luajë në zhvillimin e qëndrueshëm social-ekonomik të vendit. “Në këtë drejtim, duke qenë se ligji dhe aktet nënligjore e parashikojnë, vëmendja  duhet përqendruar te përfshirja e strukturave universitare në realizimin e punëve për të tretët. Kështu UT-ja do të jetë jo vetëm një aktor shumë i rëndësishëm në edukim dhe jetën sociale të vendit, por edhe në fushat e tjera”, shtoi Rektori.

Në fund, Rektori HOXHA dhe Dekani LAÇI i uruan stafit të FHF-së suksese gjatë Vitit Akademik 2023-2024.


Shpërnda lajmin: