19.12.2025

Qeveria e Hungarisë shpall programin e bursave shtetërore “Stipendium Hungaricum” për vitin akademik 2026-2027


Në zbatim të programit të bashkëpunimit me Hungarinë në fushën e arsimit dhe shkencës, Qeveria e Hungarisë, përmes Fondacionit Publik Tempus (Tempus Public Foundation), për vitin akademik 2026-2027, shpall programin e bursave shtetërore “Stipendium Hungaricum” për shtetasit e huaj, të cilët dëshirojnë të ndjekin studimet pranë universiteteve publike të Hungarisë. Programet e studimit të ofruara nga pala hungareze përfshijnë studime universitare, pasuniversitare të plota/të pjesshme (për një periudhë 1-vjeçare, dy semestra) në fushën e kërkimit pranë institucioneve të arsimit të lartë ose të kërkimit të Hungarisë, sipas kategorive të ndara si më poshtë:

- Studime me kohë të pjesshme në nivelin Bachelor / Master / doktoraturë (1-2 semestra).
Kandidatët e interesuar duhet të jenë të regjistruar dhe të kenë statusin e studentit në një nga institucionet e arsimit të lartë brenda vendit. Kandidatët mund të aplikojnë vetëm për studime të nivelit që janë duke ndjekur në universitetin përkatës. Këto studime zgjasin maksimumi për një vit akademik pa mundësi shtyrjeje të mëtejshme. Studimet me kohë të pjesshme nuk mund të aplikohen për kurse përgatitore apo specializimi.
- Studime të plota në nivelin Bachelor (6-8 semestra) / Master (3-4 semestra/ Master i integruar (one-tier master’s programmes) sipas programeve të studimit që ofrohen vetëm për Shqipërinë. Studimet me kohë të plotë janë programe që përfundojnë me marrjen e një diplome bachelor ose master. Programet bachelor zgjasin nga 3-4 vite akademike, ndërsa studimet master nga 1.5- 2 vite akademike. Preferohen aplikimet në fushat e studimit si vijojnë: bujqësi, inxhinieri, ekonomi, arte dhe shkenca natyrore. Pala hungareze ofron edhe programet "Master i Integruar” që zgjasin 5-6 vite akademike dhe përfshijnë nivelin e studimeve universitare bachelor dhe nivelin e studimeve master. Këto programe ofrohen në fusha të caktuara studimi, p.sh. mjekësi e përgjithshme, farmaci, stomatologji, arkitekturë, drejtësi, kirurgji veterinare, inxhinieri pyjesh, etj.
Studentët që aplikojnë për studime master duhet të kenë përfunduar studimet bachelor dhe të kenë diplomën përkatëse për këtë nivel studimi.
- Studime Doktorale PHD, program i plotë (2+2 vite akademike). Në përputhje me legjislacionin aktual në Hungari, kohëzgjatja e studimeve të doktoraturës është 8 semestra.
Studimet doktorale përfshijnë dy faza studimore: e para është një periudhë 2-vjeçare që shërben për trajnim profesional dhe kërkim, ndërkohë që periudha e dytë shërben për realizimin e kërkimit dhe tezës së disertacionit. Në përfundim të fazës së parë studentët janë të detyruar t’i nënshtrohen një provimi kompleks që synon të masë progresin arsimor dhe kërkimor të njohurive të studentit.
Kandidatët që aplikojnë për këto studime duhet të kenë një diplomë të nivelit master Kandidatët për doktoratë duhet të kontaktojnë gjithashtu me institucionet e tyre pritëse me qëllim për të diskutuar temat kërkimore që do të përfshihen gjatë përgatitjes së materialeve të aplikimit (p.sh. plani kërkimor). Kandidatët që aplikojnë për një program studimi doktorature duhet të marrin miratimin e një profesori në universitetin pritës, i cili duhet të lëshojë një deklaratë pranimi (letër miratimi) dhe ky dokument duhet t'i bashkëlidhet aplikimit.
- Kurse përgatitore dhe specializimi me kohë të plotë (deri në 1 vit). Krahas programeve të studimit, pala hungareze ofron bursa për kurse përgatitore të gjuhës hungareze dhe në raste të veçanta të gjuhës angleze, si dhe specializime në degë të veçanta, me kohë të plotë deri në 1 vit për të gjithë kandidatët që kanë diplomë në një program të caktuar studimi të nivelit bachelor ose master.

Afati i fundit i aplikimit online në faqen web të Fondacionit Publik Tempus për këto bursa studimi është data 15 janar 2026 ora 14:00 (Ora e Evropës Qendrore), në faqen web,
https://stipendiumhungaricum.hu/apply/

Për një informacion më të detajuar për mënyrën e aplikimit dhe të përgatitjes së dokumentacionit
për bursat e ofruara nga qeveria hungareze, referojuni me vëmendje materialeve informues
(bashkëlidhur) dhe adresave në website si më poshtë:
www.stipendiumhungaricum.hu
https://stipendiumhungaricum.hu/study-finder/
https://stipendiumhungaricum.hu/apply/

email: stipendiumhungaricum@tpf.hu


 

Më të fundit

Nuk ka asnjë njoftim në kategorinë Erasmus+ .

Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë - Të gjitha të drejtat e rezervuara