Promovohen studimet doktorale në FHF


Në datën 3 Qershor në sallën “Konrad Adenauer”, Departamenti i Gjeografisë dhe Departamenti i Historisë të Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë të Universitetit të Tiranës, në një aktivitet ceremonial dhe informues, organizuan promovimin e hapjes së Studimeve Doktorale në “Shkenca Humane, Albanologjike dhe Gjeografike” në drejtimet “Gjeografi”, “Marrëdhënie Ndërkombëtare”, dhe “Histori”. Në këtë aktivitet nderoi me pjesëmarrjen e tij Dekani i FHF, Prof. Dr. Sabri Laci i cili në fjalën e tij falenderoi përgjegjësit e dy Deapartamenteve për oganizimin e suksesshëm të procesit të aplikimit për hapjen e studimeve të ciklit të tretë, duke u bërë të parat në FHF që fitojnë të drejtën për riorganizimin e studimeve doktorale. Përgjegjësja e Departamentit të Historisë Prof. Dr. Valentina Duka dhe Përgjegjësi i Departamentit të Gjeografisë  Prof. Dr. Romeo Hanxhari, falenderuan stafet e departamenteve përkatëse dhe grupet e punës për qartësinë dhe përkushtimin në këtë proces të ri dhe të ndërlikuar aplikimi. Ata sqaruan se këto studime doktorale janë të orientuara në formën e projekteve kërkimore sipas prioriteteve zhvillimore të Republikës së Shqipërisë. Stafi i profesoratit të Departamentit të Historisë ka aplikuar me 6 projekte kërkimore doktorate në drejtimin Histori dhe me 3 projekte në drejtimin Marrëdhënie Ndërkombëtare. Stafi i profesoratit të Departamentit të Gjeografisë ka aplikuar me 11 projekte kërkimore doktorate në drejtimin Gjeografi, përkatësisht në Gjeografi Fizike, Gjeografi Humane, Gjeografi Regjionale, dhe GIS. Procedura e aplikimit mbetet e hapur sipas afateve të shpallura në faqen zyrtare të FHF për të gjithë kandidatët e interesuar, të cilët aktualisht duhet të jenë pedagogë të brendshëm të Universiteteve apo punonjës në Institutet kërkimore apo aplikative.


Shpërnda lajmin: