Programi Erasmus: Moduli “Shoqëria shqiptare drejt integrimit të plotë në familjen evropiane”

Programi Erasmus +, Jean Monnet 2018


Moduli “Shoqëria shqiptare drejt integrimit të plotë në familjen evropiane“, 2018-2021

Moduli “Shoqëria shqiptare drejt integrimit në familjen evropiane“, i propozuar nga lektorët Dr. Juliana Gjinko, Dr. Meljana Bregu, Dr. Andi Pinari dhe Prof. Ass. Dr. Mirela Bogdani, është zgjedhur fitues nga programi Erasmus+, Jean Monnet. Ai do të zbatohet përgjatë tre viteve akademike, duke filluar nga semestri i dytë i 2018 – 2019, me mbështetjen e Komisionit Evropian dhe EACEA (Agjencia Ekzekutive e Edukimit, Mediave Audiovizive dhe Kulturës).

Objektivat specifike të modulit janë:

  1. Të pajisë studentët me mjete dhe njohuri multidisiplinare për të analizuar marrëdhëniet midis teorisë dhe praktikës në lidhje me procesin e integrimit në BE;
  2. T’u ofrojë studentëve të nivelit Master njohuri në studimet bashkëkohore të BE-së në fushat e historisë, ligjit, shkencave politike dhe ekonomisë;
  3. Të sigurojë një kuptim më të mirë të reformave politike dhe atyre ligjore që veprojnë në Shqipëri për të zbatuar MSA dhe për të përqafuar proçesin e anëtarësimit në BE;
  4. Të inkurajojë studentët, përfaqësuesit institucionalë, mediat dhe kërkuesit për të sjellë pikëpamjet e tyre dhe për t’u angazhuar në debatin aktual mbi problemet kulturore, politike dhe ekonomike me të cilat Shqipëria po përballet në rrugën e integrimit.

Moduli, ndër të tjera parashikon zhvillimin e një kursi multidisiplinar, titulluar “Integrimi Shqiptar dhe Institucionet e BE”, i cili do të ndahet në katër pjesë: histori, ligj, shkenca politike dhe ekonomi, secila prej të cilave do të ilustrojë këndvështrimin e BE në fushën përkatëse të studimit. Pjesa e mësimdhënies, veç leksioneve, do të përfshijë gjithashtu 3 seminare, në të cilat do të trajtohen sfidat aktuale me të cilat ballafaqohet BE dhe Shqipëria si një shtet dhe shoqëri që dëshiron t’i bashkohet Unionit.

Në fund të modulit studentët do të pajisen me çertifikata përkatëse të pjesëmarrjes.

            Aplikimi

Aplikimi për pjesëmarrje në klasën shkurt 2019 – qershor 2019, është i hapur deri më 21 shkurt 2019 dhe do të përfshijë 40 studentë.

Studentët të cilët dëshirojnë të marrin pjesë, duhet të dërgojnë CV, si dhe një letër të shkurtër motivimi në adresën: jeanmonnetfhf@gmail.com 

            Vlerësimi i aplikimeve do të kryhet nga lektorët e modulit dhe studentët e përzgjedhur do të njoftohen individualisht, brenda datës 23 shkurt 2019.

Shpërnda lajmin: