Pjesëmarrje e suksesshme në Konferencën Shkencore Mbarëkombëtare “Gjuha shqipe – perspektivat dhe rreziqet”, organizuar nga Agjencia e Zbatimit të Gjuhëve, Shkup, RMV


Prof. dr. Sabri LAÇI (Dekani i FHF-së) dhe Prof. dr. Shezai RROKAJ (Autoritet Drejtues i Departamentit të Gjuhësisë), morën pjesë në Konferencën Shkencore Mbarëkombëtare “Gjuha shqipe – perspektivat dhe rreziqet”, që u zhvillua me rastin e “Ditës Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare”, më 21 Shkurt 2024.

Konferencën e nderuan me pjesëmarrjen e tyre edhe Z. Jeton SHAQIRI, Ministër i Arsimit dhe Shkencës në RMV, Prof. dr. Jusuf ZEJNELI, Rektor i Universitetit të Tetovës, Z. Ardian MUSLIU, Drejtor i AZGJ-së, drejtues institucionesh mësimore dhe kërkimore, studiues, studentë, përfaqësues të medias etj.

Në fjalën përshëndetëse, Prof. dr. Sabri Laçi prezantoi rolin e FHF-së në studimin dhe promovimin e gjuhës amtare;  në formimin e mësuesve dhe studiuesve të gjuhës shqipe; në realizimin e tubimeve dhe publikimeve shkencore mbi gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqiptare; në realizimin e projekteve kërkimore për çështje të rëndësishme të albanologjisë etj. Ai vlerësoi punën e bërë nga AZGJ-ja për ruajtjen, zhvillimin dhe përdorimin korrekt të gjuhës shqipe  në institucione, media, emërtime etj., si dhe i siguroi pjesëmarrësit për angazhimin serioz e të vazhdueshëm të FHF-së në përmbushjen me suksese të nismave lidhur me studimin, zhvillimin dhe përdorimin e saktë të gjuhës shqipe. Në fund, ai falënderoi drejtuesin dhe punonjësit e AZGJ-së për organizimin e konferencës dhe u uroi kumtuesve suksese.

Në kumtesën me titull “Gjuha standarde shqipe dhe parimi i së drejtës natyrore”, Prof. dr. Shezai Rrokaj nënvizoi se respektimi i të drejtave gjuhësore duhet të mbështetet në tre parime bazë: ai i të drejtës natyrore të qenies njerëzore sepse, para se gjuha të jetë një e drejtë ligjore, është një e drejtë natyrore; parimi i reciprocitetit ndëretnik në qasjen e shteteve ndaj gjuhëve dhe kulturave të tjera; parimi demokratik, që lidhet me emancipimin e shoqërive tona, ku gjuhët dhe kulturat nuk shihen në mënyrë diskriminuese, por si vlerë e shtuar dhe përfitim i ndërsjellë i shoqërive që integrohen… Për çështjen e së ardhmes së standardit, ai theksoi nevojën për krijimin e vetëdijes shoqërore për mënjanimin e debatit të rëndomtë dhe të pasioneve krahinore, si dhe kthimin e debatit në institucione akademike, të cilat duhet të jenë të hapura për mendimin e grupeve të interesit në gjithë arealin shqipfolës. Në fund, ai u kujtoi pjesëmarrësve se kushtet gjeopolitike kanë ndryshuar në dobi të faktorëve gjuhësorë njësues. Shqiptarët lëvizin lirisht brenda truallit etnik dhe bashkë me ta perceptimet, vetëdija dhe nevoja e përditshme për një standard funksional mbidialektor, i cili garanton komunikimin në shtrirje të gjerë.


Shpërnda lajmin: