Përshëndetja e Dekanit, Prof. dr. Sabri LAÇI në ceremoninë e shpërndarjes së bursave të Fondacionit ALSAR për studentët e FHF-së, UT
I nderuar z. Saimir RUSHEKU, Drejtor Administrativ i Fondacionit ALSAR,
Të nderuar pjesëmarrës nga fondacioni dhe FHF-ja,
Të dashur studentë,
Është viti i dytë radhazi, që Fondacioni ALSAR ofron bursa për studentët e FHF-së. Siç kishte premtuar Drejtori, këtë vit, ALSAR-i ka ofruar 50 bursa, pra dyfishin në raport me vitin e kaluar.
Me këtë rast, dëshirojmë të falënderojmë ngrohtësisht z. Mehdi GURRA, dhe t’i urojmë Fondacionit ALSAR suksese të mëtejshme në përmbushjen e misionit të tij humanitar, të mbështetjes së sektorit të arsimit në Shqipëri; të ndihmës për nxënësit dhe studentët në nevojë, por me rezultate shumë të mira; të kontributit për personat, familjet dhe komunitetet në vështirësi ekonomike e sociale etj.
Aktiviteti i sotshëm, këtu, në mjediset e FHF-së është dëshmi e kontributit të Fondacionit ALSAR për studentët dhe universitetet në Republikën e Shqipërisë.
Të nderuar pjesëmarrës,
Përzgjedhja e studentëve është bërë me drejtësi të plotë dhe në respekt të kritereve të propozuara prej fondacionit, nga Komisioni Ad-hoc, i ngritur nga Dekani i FHF-së dhe i kryesuar nga Zv./Dekania, Dr. Elsa Skënderi (Rakipllari). Edhe në emrin tuaj, dëshiroj të falënderoj përzemërsisht çdo anëtar të komisionit dhe drejtuesen e tij për punën e shkëlqyer që kanë bërë.
Fakti që përzgjedhja e studentëve për paketën e veçantë të bursave iu besua stafit drejtues të FHF-së, dëshmon frymën demokratike të Fondacionit ALSAR, që mishërohet në decentralizimin e vendimmarrjes, duke treguar respekt dhe besim për trupën universitare. Vlerësojmë se kjo është një politikë e drejtë dhe një sjellje e lavdërueshme, që na bën të ndjehemi mirë, sidomos sot kur stafet akademike nuk po marrin gjithmonë dhe nga gjithkush respektin e merituar për punën fisnike që kryejnë.
Krahas bursave, Fondacioni vazhdon të ofrojë botimet e tij mbi historinë, letërsinë dhe kulturën, për stafin, studentët dhe Bibliotekën e FHF-së, me shpresë dhe besim se ato do të shërbejnë në procesin mësimor dhe në punën kërkimore-shkencore të gjithsecilit.
I gëzofshi bursat, të dashur studentë!
Me rezultatet që keni arritur në studime, ju i keni merituar plotësisht ato. Uroj dhe shpresoj që kjo mbështetje bujare e fondacionit ALSAR t’ju motivojë për më shumë suksese në të ardhmen, si dhe t’ju frymëzojë që gjatë gjithë jetës t’i vlerësoni misionet humanitare dhe, nëse ju jepet mundësia, të bëheni pjesë e tyre.
Faleminderit ALSAR!
Suksese të gjithëve,
Prof. dr. Sabri LAÇI
Tiranë, më 04.03.2021
Leave a Reply