Përshëndetja e Dekanit FHF në Forumin Studentor “Universiteti në kohën e pandemisë covid-19: sfida, problematika, zgjidhje”
I nderuar Zëvendës Rektor i UT-së, Prof. asoc. dr. Bernard DOSTI,
Të dashur kolegë dhe studentë,
Organizimi i këtij forumi studentor është sfida e r
adhës që studentët dhe stafi i FHF-së i bëjnë situatës së pandemisë globale, e cila ka imponuar ndryshime të shumta në jetën dhe aktivitetin e gjithkujt.
Të përgjegjshëm për çfarë duhej bërë për të minimizuar efektet e COVID-19, autoritetet dhe organet drejtuese shtetërore dhe universitare e fituan sfidën e parë duke organizuar procesin mësimor online. Siç e dimë të gjithë, arsimimi është një e drejtë themelore e njeriut, që duhet të respektohet edhe në kohë pandemie, sigurisht, duke i përshtatur mënyrat e garantimit të saj, por pa lejuar që kriza shëndetësore të kthehet edhe në krizë të edukimit. Masat e marra në këtë drejtim rezultuan racionale dhe efikase. Kjo vërtetohet nga ecuria e deritanishme në procesin mësimor, kërkimor dhe shkencor:
- pjesëmarrja në procesin mësimor ka qenë shumë e mirë dhe rezultatet në provimet online janë të krahasueshme me ato në situatën para pandemisë;
- veprimtaritë shkencore, prezantuese dhe promovuese nuk kanë reshtur. Spikasin konferencat në nivel departamentesh, aktiviteti “Dita Botërore e Librit dhe të Drejtës së Autorit”, projekti i studentëve të Programit “Master Profesional” në GIS të Aplikuar, shfaqjet online të studentëve të “Grupit të Dramës” etj. Ato janë publikuar në Faqen Zyrtare dhe rrjetet sociale të FHF-së, duke kontribuuar në ruajtjen e kontakteve, informimin e vazhdueshëm, gjallërimin e botës universitare dhe pasurimin profesional, shkencor dhe kulturor të studentëve dhe stafeve;
- që prej një muaji, stafi i FHF-së është përballë sfidës së informimit të maturantëve përmes video-mesazheve, intervistave, takimeve online, fletëpalosjeve, udhërrëfyesit etj. Edhe në këtë rast, ambasadorët më të mirë janë studentët tanë, që gjenden në çdo cep të Shqipërisë, ku promovojnë me krenari vlerat e FHF-së, si pjesë e universitetit më të mirë në gjithë hapësirën shqiptare;
- janë fituar dhe po realizohen projekte kombëtare dhe ndërkombëtare (Jean Monet, ERASMUS+ etj.), si dhe një numër i konsiderueshëm mobilitetesh për stafin dhe studentët;
- janë nënshkruar marrëveshje me një sërë institucionesh të vendit dhe të huaja, të cilat kanë zgjeruar mundësitë për bashkëpunim, praktika profesionale dhe intershipe, sidomos për studentët;
- ka vijuar publikimi i revistave dhe teksteve universitare, është pasuruar Biblioteka e FHF-së me qindra tituj të dhuruar nga donatorë publikë dhe privatë, si dhe janë zgjeruar ndjeshëm mundësitë për shfrytëzimin e bibliotekave online;
- është shtuar fondi i pajisjeve elektronike në çdo njësi bazë, ndërkohë që studentët, stafi akademik dhe ai ndihmë janë aftësuar më tej në përdorimin e teknologjisë së avancuar.
Sa më sipër, na shton besimin se edhe sfida të tjera do të mund të fitojmë së bashku, pasi forcën e botës universitare, vrullin rinor të studentëve tanë të shkëlqyer, nuk ka pandemi që mund ta ndalë.
Të dashur studentë dhe kolegë,
Lutem më lejoni që edhe në emrin tuaj, të falënderoj ngrohtësisht Zëvendës Rektorin e UT-së, i cili është mbështetës i përhershëm i nismave tona për përmirësimin e standardeve të procesit mësimor dhe kërkimor-shkencor. Me pjesëmarrjen në këtë forum dhe fjalët inkurajuese në adresën tonë, Prof. asoc. dr. Bernard DOSTI na frymëzon për punë të mira dhe arritje të tjera.
Kërkoj gjithashtu lejen tuaj për të përgëzuar dhe falënderuar Zëvendës Dekanen e FHF-së, Dr. Elsa SENDERI (RAKIPLLARI), për profesionalizmin dhe përkushtimin e spikatur, që ka dëshmuar në realizimin e këtij aktiviteti studentor.
Faleminderit të gjithëve ju për pjesëmarrjen dhe kontributet!
Suksese forumit!
Prof. dr. Sabri LAÇI, Dekan i FHF-së
Tiranë, më 14.05.2021