29.5.2026

Përfundon me sukses workshopi ndërkombëtar i bashkëorganizuar nga IGU dhe Departamenti i Gjeografisë (FHF-UT)


Në datat 21-23 Maj 2026 në mjediset e Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë u mbajt Workshopi Ndërkombëtar “Landscape Planning and Spatial Governance. The Role of Local Government in the Management and Enhancement of Heritage Landscapes”. Workshopi u organizua nga Departamenti i Gjeografisë i Universitetit të Tiranës në bashkëpunim me IGU – UGI, Unionin Gjeografik Ndërkombëtar, përkatësisht me njërin nga Komisionet e këtij Unioni, Komisioni për Gjeografinë e Governancës. Workshopi u mbështet me logjistikë dhe me organizim nga Fakultetit i Historisë dhe i Filologjisë.

Në Workshop morën pjesë dhjetëra pedagogë, studentë të Bachelor apo të Mastër e të Doktoraturës të Universitetit të Tiranës. Hapja e punimeve u përshëndet nga Dekani i FHF Prof. dr. Mark Marku, nga bashkëorganizatorja e Workshopit dhe bashkëkryetare e Komisionit për Gjeografinë e Governancës të IGU-së, Prof. Anna Trono (Itali), nga Prof. Luiz Oosterbeek i Institutit Teknologjik të Tomar (Portugali), nga Përgjegjësja e Departamentit të Gjeografisë të UT Prof. as. Dr. Sonila Sinjari, dhe nga zv. Dekani i FHF Prof. dr. Romeo Hanxhari, bashkëorganizator i Workshopit. Në seancën hapëse, dekani prof. dr. Mark Marku i akordoi prof. Anna Tronos “Certifikatën e Mirënjohjes” për kontributin e saj mbi 20 vjecar në rritjen e bashkëpunimeve ndërkombëtare të Departamentit të Gjeografisë të Universitetit të Tiranës.

Workshopi u konturua ne formatin “1 ditë aktivitete indoor dhe 2 ditë outdoor”. Gjatë ditës së parë, në 5 sesione të ndryshme tematike, u mbajtën 22 referime, nga 29 autorë profesorë të shquar të gjeografisë, të shkencave të peizazhit, dhe të trashëgimisë kulturore e natyrore, nga mbi 12 universitete të ndryshme, nga 7 vende të botës si Itali, Slloveni, Francë, Greqi, Tunizi, Shqipëri, Portugali. Një pjesë e mirë e refrimeve planifikohet të botohen në një vëllim të posacëm me shtëpinë botuese ndërkombëtare Springer.

Në ditët e kërkimit outdoor profesorët pjesëmarrës trajtuan cështje të ndryshme sfida të menaxhimit të peizazhit sot në Shqipëri, përkatësisht në Tiranë, si edhe në zonat veriperëndimore dhe qendrore e jug-perëndimore të saj. U identifikuan fusha inteesante të kërkimit dhe të bashkëpunimit.

Ky Workshop do të kontribuojë në ndërkombëtarëzimin e mëtejshëm të Universitetit të Tiranës.


 

Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë - Të gjitha të drejtat e rezervuara