Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë është një nga gjashtë fakultetet e Universitetit të Tiranës. Sot përbëhet nga gjashtë departamente, të cilat ushtrojnë aktivitetin e tyre studimor në fusha si Histori, Gjeografi, Gjuhësi, Letërsi, Gazetari dhe Komunikim, Arkeologji dhe Trashëgimi Kulturore. Fakulteti ofron programe studimore të të gjitha niveleve.
I integruar në Universitetin Shtetëror të Tiranës që nga krijimi i tij në vitin 1957, Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë sot ofron 6 programe studimi Bachelor, 13 programe të studimeve pasuniversitare Master i Shkencave dhe Master Profesional si edhe studime në nivelin doktoral.
Fakulteti ka në bazë të veprimtarisë së vet MENDIMIN SHKENCOR KRITIK në mbështetje të formimit pedagogjik dhe aktivitetit kërkimor. Aktivitetet akademike të promovuara nga departamentet synojnë të japin një kontribut të rëndësishëm në JETËN SOCIALE të vendit.
Stafi i Fakultetit tonë merr pjesë aktive në PROJEKTE KËRKIMORE në bashkëpunim dhe partneritet me kolegët e INSTITUCIONEVE TË HUAJA KËRKIMORE.
Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë ka si objektiv parësor përgatitjen e mësuesve, gazetarëve, studiuesve të historisë, të arkeologjisë, të trashëgimisë kulturore, të gjuhës dhe të letërsisë, të gjeografisë, të medias dhe komunikimit, nëpërmjet programeve dhe kërkimit shkencor.
Për informimin të studentëve të vitit të I-rë Bachelor, të programeve që përbëjnë prioritet kombëtar : “Gjuhë Shqipe dhe Letërsi”, “Histori” dhe “Gjeografi”
Studentët që janë regjistruar në vitin e I-rë, në Ciklin e Parë (Bachelor), në vitin akademik 2023-2024, të kenë parasysh kriteret, dokumentacioni, procedurat dhe afatet sipas akteve ligjore, si më poshtë :
. Mbështetje financiare nga buxheti i shtetit ose të ardhurat, për vitin akademik 2023-2024 dhe në vijim, do të përfitojnë studentët, shtetas shqiptarë, të pranuar në vitin e I-rë – Cikli i Parë (Bachelor), në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë të Universitetit të Tiranës që plotësojnë kriteret e mëposhtme:
– Nuk janë njëkohësisht përfitues të ndonjë financimi tjetër nga shteti shqiptar;
– Studentë që kanë zgjedhur program të studimit që përbëjnë prioritet kombëtar dhe që kanë përfunduar arsimin e mesëm, të lartë dhe janë regjistruar për vitin akademik 2023-2024.
Mbështetjen financiare e përfiton studenti që pranon:
– Të nënshkruajë Marrëveshje tripalëshe midis përfituesit të financimit (Studentit), IPAL (institucionit publik të arsimit të lartë) dhe Ministrisë së Arsimit dhe Sportit;
– Të punojë në profesionin për studimet e të cilit përfiton financim jo më pak se 3 (tre) vjet në sektorin shtetëror sipas legjislacionit përkatës;
– Të kalojë zyrtarisht diplomën/at origjinale përkatëse të arsimit të lartë për të cilin përfiton financim, nga Universiteti i Tiranës, tek institucioni apo subjekti juridik ku do punësohet, deri në shlyerjen e detyrimeve të marrëveshjes së parashikuar në VKM nr. 386, datë 01.06.2022. Në rast mospunësimi deri në 6 (gjashtë) vite kalendarike, studenti ka të drejtë ta tërheqë diplomën origjinale nga IPAL.
Përzgjedhja e studentëve përfitues, sipas pikës 1 të këtij Njoftimi Administrativ, do të kryhet në bazë të renditjes sipas notës mesatare dhe fondit në dispozicion për vitin financiar (Shtojca nr.1 e VKM nr. 386, datë 01.06.2022 dhe VKM nr.397, datë 29.06.2023, pika 1/ç), në rastet kur numri i kërkuesëve është më i madh se kuotat e ofruara. IAL publike i caktojnë këto kuota me Vendim të Senatit Akademik për çdo program prioritar që ato ofrojnë, në përpjestim të drejtë me numrin e studentëve për çdo program. Me daljen e Vendimit të Senatit dhe publikimit të kuotave, studentët përfitues do të aplikojnë pranë Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve.
Studenti përfitues, për të ruajtur vijimin e financimit (pas vitit akademik 2023-2024), duhet të ruaj notë mesatare jo më pak se 9.5 gjatë gjithë kohëzgjatjes së studimeve të ciklit të parë dhe të dytë.
Studenti përfitues ka për detyrim të kthejë masën e financimit të përfituar në rast se:
– Përjashtohet nga fakulteti;
– Ndërpret studimet pa miratim zyrtar;
– Nuk përfundon studimet në ciklin përkatës brenda 1 (një) viti, pas përfundimit të kohëzgjatjes normale të studimeve.
Studentët që njoftohen nga Ministria e Arsimit dhe Sporteve për kthimin e masës së financimit duhet ta kthejnë brenda 6 (gjashtë) muajve nga dita e njoftimit . Në rast moskthimi të shumës apo refuzim nga ana e përfituesit ndiqen procedurat ligjore sipas legjislacionit në fuqi.
Bursa financiare (sipas pikave 2 dhe 10 të VKM nr. 386, datë 01.06.2022) u jepet studentëve përfitues çdo muaj, në llogarinë bankare të deklaruar nga studentët, pas konfirmimit të frekuentimit nga strukturat përgjegjëse për ndjekjen e ecurisë së studentëve (departamentet përkatëse) brenda datë 5 të çdo muaji. Masa e financimit është jo më e madhe se paga minimale zyrtare dhe përcaktohet në Marrëveshjen tri palëshe (Studenti, IPAL dhe MAS).
Studentët përfitues (sipas pikave 2 dhe 10 të VKM nr. 386, datë 01.06.2022) përjashtohen nga tarifa e shkollimit për vitin akademik 2023-2024 dhe në vijim, në qoftë se e ruajnë financimin.
Studentët aplikojnë me dokumentacion provues, të noterizur ose origjinal, si më poshtë:
– Kërkesën për aplikim;
– Dokument identifikimi;
– Diplomën dhe certifikatën e Maturës Shtetërore;
– Vërtetimin nga FHF-UT që është pranuar në një program studimi;
– Certifikatën e fitimit të çmimit në olimpiada ndërkombëtare.
Dokumentacioni do të paraqitet nga studentët në Ministrinë e Arsimit dhe të Sporteve, ku në AKFAL (Agjencia Kombëtare e Financimit të Arsimit të Lartë) është një strukturë përkatëse për procedurën e përzgjedhjes dhe të verifikimit të dokumentacionit.
Lista përfundimtare me përfituesit do të përcillet në Institucionet Publike të Arsimit të Lartë, pasi të jenë njoftuar edhe studentët përfitues. Bashkë me listën do të përcillen në IPAL edhe një kopje e Marrëveshjes tri palëshe të secilit përfitues.