2.9.2026

Nis shkolla verore “Kursi i Gjuhës Shqipe për të Huaj” në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë, Universiteti i Tiranës!


Departamenti i Gjuhësisë mirëpriti dhe sivjet studentë dhe studiues nga vende të ndryshme të botës në Kursin e Gjuhës Shqipe për të Huaj, i cili do të zhvillohet nga data 1 deri më 30 shtator 2026.

Në hapjen zyrtare të këtij programi intensive, Përgjegjësi i Departamentit dhe Drejtori i Kursit, Prof. dr. Dhimitri Bello, falënderoi përzemërsisht pjesëmarrësit që kanë zgjedhur të mësojnë shqip pranë Departamentit të Gjuhës Shqipe në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë, duke theksuar se ky departament garanton standardin dhe cilësinë më të lartë të mësimdhënies, si dhe mundëson certifikimin zyrtar të njohurive të fituara.

Në emër të Dekanatit, Prof. dr. Linda Mëniku u uroi mirëseardhjen pjesëmarrësve,  duke nënvizuar rolin thelbësor që ka gjuha në ndërtimin e urave të komunikimit ndërmjet popujve, si dhe në njohjen e thellë të kulturës, traditave dhe historisë së një kombi.

Ky kurs intensiv (nivelet A1–C2) ndërthur:

Mësimdhënien e gjuhës shqipe sipas niveleve përkatëse;

Leksione për historinë, gjeografinë dhe kulturën shqiptare;

Një program të pasur social-kulturor me vizita në muzetë kryesore dhe udhëtime në qytete historike të Shqipërisë.

U urojmë studentëve tanë: Mësim të mbarë dhe suksese në përvetësimin e gjuhës shqipe dhe një muaj të pasur me dije, miqësi të reja dhe përjetime të paharrueshme!


 

Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë - Të gjitha të drejtat e rezervuara