Nga tryeza e rrumbullakët me ALUMNI-t me temë “Perspektiva studimore të kërkuesve të rinj”


Më 19 korrik 2021, Departamenti i Gjuhësisë, në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë zhvilloi Tryezën e rrumbullakët me ALUMNI-t me temë “Perspektiva studimore të kërkuesve të rinj”. Pjesë e kësaj tryeze ishin ish-studentë të degës gjuhë-letërsi, të cilët aktualisht kanë angazhime kërkimore-shkencore në institucione prestigjioze brenda e jashtë vendit.

Ky takim, i pari i këtij lloji, u realizua online dhe fizikisht në Auditorin “Shaban Demiraj” dhe kishte për synim njohjen me punën kërkimore të ALUMNI-ve dhe promovimin e shembujve të tyre të suksesit në rrugën akademike.
Përgjegjësi i Departamentit të Gjuhësisë, Prof. dr. Shezai Rrokaj, në fjalën e tij përshëndetëse përgëzoi ALUMNI-t për angazhimin dhe arritjet e tyre kërkimore dhe theksoi se vendosja dhe ruajtja e marrëdhënieve të bashkëpunimit me ish-studentët është një detyrim institucional dhe në të mirë të zhvillimit të kapaciteteve të Departamentit e të Fakultetit.
Tryezën e rrumbullakët e përshëndeti edhe zv/dekania për marrëdhëniet me studentët,  Dr. Elsa Skënderi, e cila i konsideroi ALUMNI-t si një aset të Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë e të Universitetit të Tiranës. Ajo iu kujtoi ish-studentëve misionin e përbashkët akademik për ta lartësuar emrin e (alma mater-it) universitetit amë, për shkak të rolit të tyre si ambasadorë të degës gjuhë-letërsi e të Universitetit të Tiranës.
Të pranishëm në tryezë, pedagogët e Departamentit të Gjuhësisë rishprehën vullnetin e tyre për të vijuar mentorimin për ish-studentët si dhe për t’i institucionalizuar marrëdhëniet e bashkëpunimit me ta. Gjatë diskutimeve, u hodh ideja që tryezat akademike me ish-studentë të shndërrohet në një traditë të përvitshme, që do t’i vinte në ndihmë shkëmbimit të përvojave studimore e kërkimore dhe procesit të ndërkombëtarizimit.
Tryeza e rrumbullakët u mbajt gjatë dy seancave, të drejtuara nga pedagoget Prof. As. dr. Albana Ndoja dhe Prof. Asoc. dr. Kledi Shegani, ndërsa referimet e pjesëmarrësve, do të botohen në një vëllim të posaçëm.


Shpërnda lajmin: