Nga ceremonia në ditën e parë të vitit akademik 2018-2019 në FHF


Më 15.10.2018, në IAL-të e Republikës së Shqipërisë nisi viti i ri akademik. Për të përshëndetur studentët dhe stafet akademike në këtë ditë të shënuar, në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë të UT-së erdhi Znj. Lindita NIKOLLA, Ministre e Arsimit, Sporteve dhe Rinisë dhe Prof. dr. Mynyr KONI, Rektor i Universitetit të Tiranës.

Dekani i FHF-së, Prof. dr. Sabri LAÇI, u uroi mirëseardhjen mysafirëve të lartë, autoriteteve drejtuese të njësive bazë, pedagogëve dhe studentëve, në takimin e organizuar në Sallën “Konrad Adenauer”.

Duke iu drejtuar studentëve që kanë zgjedhur të studiojnë në FHF, ai tha:

Të dashur studentë,

Në jetën e njeriut sfidat dhe mundësitë për të zgjedhur janë pafund, por ju siguroj se duke ardhur në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë, ju e keni fituar njërën prej tyre: keni zgjedhur  profesionin e duhur. Dije cilësore dhe bashkëkohore që do të fitoni hap pas hapi në një nga gjashtë programet studimore të ciklit të parë, do t’i profilizoni në një nga 12 programet e ciklit të dytë dhe do t’i thelloni në njërën nga gjashtë Shkollat Doktorale që ofrohen në këtë fakultet, ju do t’ua përcillni gjeneratave të ardhshme. Kjo është detyrë fisnike dhe kënaqësi e madhe. Profesioni që keni zgjedhur, cilido qoftë ai, është dhe do të jetë gjithmonë i respektuar. Duajeni atë! Në këtë fakultet janë të gjitha kushtet për t’u bërë profesionistë të mirë:

  • profesorë të kualifikuar, të dashur dhe kurdoherë të gatshëm;
  • mësimdhënie cilësore në auditorë dhe në terren;
  • staf ndihmës të sjellshëm dhe në shërbimin tuaj në çdo moment;
  • tekste, laboratorë, bibliotekë dhe mjedise të tjera të përshtatshme;
  • mundësi informimi përmes faqes zyrtare të FHF-së dhe UT-së, Zyrës së Informacionit, rrjeteve sociale etj.;
  • mundësi pjesëmarrjeje në veprimtari shkencore, kulturore dhe sportive;
  • mobilitet për trajnime, studime të pjesshme dhe kualifikime jashtë shtetit.

Mjafton që ju t’i shfrytëzoni të gjitha këto si duhet dhe të guxoni të kërkoni llogari për gjithçka që do t’ju duket se nuk shkon mirë.

Prof. Laçi i adresoi Znj. Nikolla dhe Z. Koni këto fjalë falënderuese:

Znj. Ministre,

Prania Juaj këtu, në këtë ditë të rëndësishme për mijëra studentë, prindër dhe pedagogë, na nderon dhe motivon për më shumë punë, për të përmbushur standardet që parashikon Reforma në Arsimin e Lartë. Mbështetja Juaj, për mbarëvajtjen e punëve në FHF ka qenë evidente: materiale, dokumentare dhe morale, si një person vullnetmirë e fjalëmbajtur, kurdoherë në respekt të ligjit dhe të postit të lartë që Ju mbani. Duke Ju shprehur mirënjohje të thellë për këtë, besojmë se e tillë do të jetë ajo edhe në të ardhmen.

I nderuar Z. Rektor,

Praninë Tuaj këtu e shohim si vlerësim dhe mbështetje për ne. Mirëkuptimi dhe fryma konstruktive që ka karakterizuar marrëdhëniet e FHF-së me Rektoratin e UT-së, ka lehtësuar përmbushjen e detyrave tona me karakter mësimor, shkencor dhe administrativ. Faleminderit që Jeni treguar i gatshëm për të inkurajuar nismat tona akademike, që keni iniciuar marrëveshje për bashkëpunim në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, pjesë e të cilave është edhe FHF-ja, si dhe për mundësitë e krijuara për mobilitet për stafin dhe studentët!

Në vijim, duke iu drejtuar pedagogëve dhe autoriteteve drejtuese të FHF-së, prof. Laçi tha:

Gjithçka që kemi arritur, është kontributi ynë i përbashkët, i stafeve akademike të njësive bazë që ju drejtoni, si dhe i stafeve ndihmëse akademike e administrative. Sfida të reja na presin. Më lejoni që në emrin tuaj, t’u premtoj autoriteteve të larta që na nderojnë dhe studentëve, se të gjitha sfidat që na presin gjatë këtij viti e në vazhdim, do t’i fitojmë së bashku me vullnetin e mirë dhe përkushtimin që na karakterizon. Motoja jonë është dhe do të jetë: Të parët janë studentët!

Suksese!

Qoftë një vit i mbarë për të gjithë!

Në emër të studentëve, të pranishmit i përshëndeti Anxhela Hidri, studente e shkëlqyer.

Ajo falënderoi autoritetet shtetërore dhe universitare për kushtet e krijuara dhe pedagogët për përkushtimin e vazhdueshëm për të ofruar shkollim sipas standardeve bashkëkohore; shpjegoi arsyet pse ka zgjedhur të ndjekë programin Master Profesional në Mësuesi; si dhe i porositi studentët e rinj që të studiojnë shumë, me qëllim që të mund të realizojnë ëndrrën e tyre, në drejtimin që kanë zgjedhur.

Rektori Koni i përshëndeti të pranishmit në emër të UT-së.

Ai vlerësoi faktin se FHF-ja ka qenë vazhdimisht ndër fakultet më të preferuara; përmendi arritjet e deritanishme të UT-së për sa i përket nënshkrimit të marrëveshjeve me partnerët ndërkombëtarë dhe mundësitë e krijuara për mobilitet për stafet akademike dhe studentët në universitete europiane, punën e bërë për hapjen e programeve të reja dhe përditësimin e atyre ekzistuese, organizimin e veprimtarive shkencore, angazhimin për përmbushjen me sukses të detyrimeve në kuadër të procesit të akreditimit; vlerësoi performancën e stafit akademik të FHF-së dhe uroji studentët për një vit akademik të suksesshëm.

Ministria Nikolla, në fjalën e Saj theksoi se kishte zgjedhur të përshëndeste studentët dhe stafet akademike të IAL-ve të Republikës së Shqipërisë nga mjediset e Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë të UT-së nisur nga vlerësimi shumë i lartë që kishte për këtë tempull të spikatur të dijes universitare, vatër e lirisë së fjalës, debatit shkencor dhe kritikës së shëndetshme, ku janë formuar korifenj të albanologjisë dhe ku militojnë studiues të shquar të historisë, gjeografisë, gjuhës, letërsisë, arkeologjisë, trashëgimisë kulturore, gazetarisë dhe komunikimit etj., si dhe ku përgatiten mësuesit dhe studiuesit e ardhshëm. Ajo evidentoi arritjet në zbatimin e Ligjit për Arsimin e Lartë, efektin pozitiv të vendimit për caktimin e notës shtatë si kusht pranimi në programet e mësuesisë, i cili do të shoqërohet me bursa studimesh për studentët shumë të mirë dhe stimuj të tjerë, me qëllim përgatitjen e mësuesve cilësor për gjeneratat e ardhshme; si dhe premtoi kushte materiale më të mira për stafet akademike dhe mundësi më të mëdha për kualifikime, trajnime e specializime, brenda dhe jashtë vendit.

Më pas studentët e secilës degë u orientuan nga stafet akademike, ndihmës akademike dhe administrative,  sipas profilit të studimit, në sallat përkatëse, laboratorë, mjediset e bibliotekës, Sekretarinë Mësimore, Zyrën e Informacionit etj. Ata u mirëpritën nga përgjegjësit e departamenteve të cilët i sqaruan lidhur me programet mësimore, u dhanë përgjigje morisë së pyetjeve të tyre dhe i porositën që të jenë të vëmendshëm, të angazhuar dhe bashkëpunues, me qëllim përmbushjen sa më mirë të objektivave mësimore-shkencore.

Shpërnda lajmin: