Nënshkruhet Memorandumi i Bashkëpunimit për Edukimin Mediatik të Studentëve
Më datë 15.11.2021, Dekani i FHF, Prof. dr. Sabri LAÇI dhe Drejtori i Institutit Shqiptar të Medias, Zoti Remzi LANI, nënshkruan Memorandumin e Bashkëpunimit midis Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë (FHF) dhe Instituti Shqiptar i Medias (ISHM). Ky memorandum zyrtarizoi marrëdhëniet mes dy palëve, në kuadër të zbatimit të Projektit “Zhvillimi i Edukimit për Median dhe Informacionin (EMI) në Universitetet Shqiptare”.
Në takimin e organizuar me këtë rast, Prof. dr. Sabri LAÇI e konsideroi ISHM-në një partner serioz, ndërsa bashkëpunimin për edukimin e studentëve për median dhe informacionin, si shumë të rëndësishëm. “Ne kemi përvojë shumë të mirë bashkëpunimi me organizatat e shoqërisë civile, si dhe kapacitete të mjaftueshme e të kualifikuara për të ndërmarrë dhe realizuar me sukses projekte shumë-disiplinore, që u shërbejnë studentëve dhe stafit akademik” – tha ai.
Zoti Remzi LANI vuri në dukje se FHF-ja është treguar gjithmonë një partner korrekt dhe i përkushtuar, që nuk ka hezituar asnjëherë për të ofruar kapacitetet intelektuale dhe mjediset e veta për realizimin me sukses të projekteve të përbashkëta.
Projekti në fjalë financohet nga Zyra e Marrëdhënieve me Publikun e Ambasadës së SHBA-së në Tiranë dhe synon që të kontribuojë në rritjen e kapaciteteve të stafit akademik dhe studentëve në lidhje me Edukimin për Median dhe Informacionin.
Duke pasur parasysh mungesën e edukimit të mirëfilltë për median dhe informacionin në të gjitha nivelet e edukimit, përfshirë edhe atë universitar (me përjashtim të programeve studimore të Gazetarisë dhe Komunikimit), projekti përfshin studentë dhe pedagogë të 10 fakulteteve të universiteteve të vendit, ndër të cilët edhe FHF-në.