Nënshkruhet marrëveshja e bashkëpunimit ndërmjet FHF dhe QSPA


Më datë 11 shkurt 2021, Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë (FHF) dhe Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA) nënshkruan një marrëveshje Bashkëpunimi, e cila fokusohet te kryerja e studimeve të përbashkëta mbi historinë dhe kulturën e komunitetit arbëresh. Marrëveshja e nënshkruar nga Dekani i FHF-së, Prof. dr. Sabri LAÇI dhe drejtoresha e QSPA-së, Prof. asoc. dr. Diana KASTRATI, parashikon organizimin e aktiviteteve të përbashkëta dhe pjesëmarrjen në konferenca shkencore kombëtare e ndërkombëtare.

Profesor Laçi shprehu gatishmërinë e institucionit, që ai përfaqëson për të bashkëpunuar në kuadër të kësaj marrëveshjeje. Ai theksoi se: “profesorati i Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë, gëzon kapacitetin e nevojshëm për të ofruar ekspertizë edhe në hulumtimet ndërdisiplinore për komunitetin arbëresh”. Nga ana tjetër, zonja Kastrati e vuri theksin te nevoja për të evidentuar studentë, të cilët shfaqin prirje për t’u marrë me kërkim shkencor, në mënyrë që të atashohen për hulumtime më të specializuara pranë QSPA-së. Sipas saj, diçka e tillë do të mundësonte “sigurimin e kontigjentit të ardhshëm të kërkuesve shkencorë në shkencat humane”.

E pranishme në takim, Zëvendësdekania e FHF-së Dr. Elsa Skënderi theksoi se stazhet dhe praktikat profesionale, që studentët do të kryejnë falë kësaj marrëveshjeje, janë një mundësi e vyer për t’i orientuar ata drejt karrierës profesionale, si edhe për t’iu dhënë qasje të drejtpërdrejtë te mënyra si kryhet  kërkimi shkencor. I këtij mendimi qe edhe Dr. Artan Hoxha, kërkues shkencor pranë QSPA-së, i cili u shpreh se: “nëpërmjet angazhimit në mënyrë aktive në veprimtarinë kërkimore të QSPA-së, studentët e FHF-së mund të marrin baza praktike dhe mentorim për metodologjinë e kërkimit”.

Marrëveshja e bashkëpunimit e firmosur sot, është e disata në vazhdën e marrëveshjeve me anë të së cilave dekanati i FHF-së, synon të rrisë mundësitë për realizimin e veprimtarive dhe botimeve shkencore, të aktiviteteve kulturore dhe të ofrojë mundësi për përfshirjen aktive të studentëve në këto veprimtari.


Shpërnda lajmin: