Nënshkruhen Memorandume mirëkuptimi dhe bashkëpunimi midis Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë dhe partnerëve nga fusha e medias, gjuhësisë dhe trashëgimisë kulturore
Dekani i FHF-së, Prof. dr. Sabri LAÇI, gjatë periudhës nëntor-dhjetor 2021, ka nënshkruar katër memorandume mirëkuptimi dhe bashkëpunimi me institucione dhe organizata partnere. Ato synojnë krijimin e hapësirave më të gjera për informimin e studentëve dhe krijimin e mundësive për ta për realizimin e intershipeve e të praktikave mësimore, si dhe për përfshirjen e stafeve të njësive bazë në veprimtari kërkimore-shkencore për çështje me interes reciprok dhe me rëndësi kombëtare.
Sipas rendit të nënshkrimit, memorandumet janë si vijon:
- Memorandum Mirëkuptimi me Institutin Shqiptar të Medias, përfaqësuar nga Drejtori Ekzekutiv, Z. Remzi LANI, për zbatimin e Projektit “Zhvillimi i edukimit për median dhe informacionin në universitet Shqiptare”.
- Memorandum Mirëkuptimi me Radio-Televizionin Shqiptar, përfaqësuar nga Zv./Drejtori i Përgjithshëm, Z. Martin LEKA, për vijueshmërinë e stazhit profesional për studentët e gazetarisë dhe komunikimit, vendosur në kuadër të Projektit “Media në fokus: Forcimi i Transmetuesit Publik Shqiptar dhe i Shkollës Publike të Gazetarisë”.
- Memorandum Bashkëpunimi me Agjencinë e Zbatimit të Gjuhës (Maqedonia e Veriut), përfaqësuar nga Drejtori, Prof. dr. Ylber SELA, për (i) inicimin, mbështetjen, realizimin e projekteve të përbashkëta kërkimore; realizimin e veprimtarive të tjera shkencore (konferenca, seminare e botime në fusha me interes të dyanshëm); realizimin e praktikave të studentëve, shkëmbimin e përvojës lidhur me menaxhimin institucional, në varësi të burimeve dhe potencialit të secilit institucion; (ii) koordinimin e punëve dhe aktiviteteve të përbashkëta për nëpunësit administrativë, të funksionarëve të administratës publike, të cilët kanë detyrim për zbatimin e gjuhës shqipe në bazë të Ligjit të Zbatimit të Gjuhëve (Republika e Maqedonisë së Veriut).
- Memorandum Mirëkuptimi me OJF-në “Trashëgimia Kulturore pa Kufij, Shqipëria”, përfaqësuar nga Drejtoresha Ekzekutive, Zj. Elena MAMANI, për “Bashkëpunimin profesional dhe krijimin e mundësive për aftësim praktik për studentët në fushën e mbrojtjes dhe të promovimit të trashëgimisë kulturore në Republikën e Shqipërisë”.
Falënderojmë partnerët dhe ju urojmë suksese studentëve dhe pedagogëve që do të angazhohen në jetësimin e memorandumeve.