26.8.2024

Në kuadër të projektit “EXITINCULTWEB” u mbajt workshopi “Atelie dhe Ekspozitë mbi potencilain e Itinerareve Kulturore të Këshillitt ë Evropës në Shqipëri”


Në kuadër të projektit “Lehtësimi dhe mbështetja e shtrirjes së Itinerareve Kulturor të Këshillit të Evropës në Web” (titulli original “EXITINCULTWEB - Faciliter et Soutenir l'Extension des Itinéraires Culturels du Conseil de l'Europe sur le WEB”), mbështetur nga AUF - Agjensia Universitare e Frankofonisë (AUF – Agence Universitaire de la Francophonie), u mbajt në 23-24 gusht 2024 në mjediset e Departamentit të Gjeografisë, Universiteti i Tiranës, Workshopi “Atelie dhe Ekspozitë mbi potencilain e Itinerareve Kulturore të Këshillitt ë Evropës në Shqipëri”. Aktiviteti u organizua nga grupi i punës nga Universiteti i Tiranës përbërë nga Prof. Dr Romeo Hanxhari, Prof. Dr Sokol Axhemi, Prof. as. Dr Drita Rira, Dr. Esmiralda Kolaneci, Phd Edlira Caro (Kola), PhD Enkela Begu, dhe Msc. Dritan Lloçi. Kontribuan thelbësisht në këtë aktivitet edhe grupi i punës nga Universiteti i Prishtinës drejtuar nga Prof. Lendita Gjikolli dhe Prof. Valbona Berisha, si edhe ekspertë të tjerë si dekania e FGjH të UT, Prof. Dr Esmeralda Kromidha.

Ky Workshop u mundësoi pjesëmarrësve të shkëmbenin ide novatore dhe metodologji kërkimore për të rritur ndikimin e punës së tyre të përbashkët. Duke u përqendruar në zhvillimin e Rrugëve Kulturore të Këshillit të Evropës, ekipi theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërkufitar midis Shqipërisë dhe Kosovës vecanërisht për sa i përket itinerarit “Iter Vitis”, duke kontribuar kështu në forcimin e lidhjeve kulturore dhe në vlerësimin e trashëgimisë së përbashkët. Pjesëmarrësit diskutuan për mundësitë e ndryshme që këto itinerare mund të sjellin, jo vetëm në fushën e turizmit kulturor, por edhe në ruajtjen e trashëgimisë, promovimin e diversitetit kulturor dhe zhvillimin ekonomik.

Një nga objektivat kryesore të këtij takimi ishte identifikimi i burimeve specifike dhe i vendeve të trashëgimisë në Shqipëri që mund të pasurojnë këto itinerare. Në përfundim, ekipi nxori në pah rolin e Shqipërisë si një pikë strategjike për zbatimin e itinerareve kulturore dhe riafirmoi potencialin e saj për të tërhequr studiues dhe turistë të interesuar për historinë dhe diversitetin kulturor të Evropës Juglindore.


 

Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë - Të gjitha të drejtat e rezervuara