21.04.2026

Në FHF u organizua një aktivitet në nderim të rolit të jashtëzakonshëm që diaspora shqiptare në Shtetet e Bashkuara ka luajtur për Pavarësinë e Kosovës


Në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë, u organizua më datë 20 prill, një aktivitet në nderim të rolit të jashtëzakonshëm që diaspora shqiptare në Shtetet e Bashkuara ka luajtur për Pavarësinë e Kosovës.

Aktiviteti u organizua me praninë e zonjës Donika Bardha, e cila foli në emër të familjes Bardha për rolin e diasporës në SHBA dhe në mënyrë të veçantë të familjes Bardha, në përmbushjen e një ëndrre shekullore: Kosova e lirë dhe e pavarur. Zonja Bardha solli kujtimet e saj si pjesëmarrëse aktive në tubimet për çështjen kombëtare, takimet e babait të saj, z. Ekrem Bardha me kongresmenë dhe presidentë amerikanë, si dhe rolin e saj personal në lobimin për çështjen e Kosovës deri te Presidenti i SHBA-së, Bill Klinton.

Dekani, Prof.dr. Mark Marku, në fjalën e tij përshëndetëse theksoi rëndësinë e rolit të diasporës shqiptare  para, gjatë dhe pas luftës së Kosovës, duke e konsideruar shumë të rëndësishëm këtë rol, në mënyrë të veçantë në përpjekjen për të  bërë një aleat të fortë si SHBA-ja, për luftën për Pavarësinë e Kosovës. Prof.dr. Mark Marku falënderoi zonjën Bardha dhe për aktin e dhurimit të librit të babait të saj, z.Ekrem Bardha “E vërteta – pavarësia e Kosovës, Amerika dhe diaspora” për Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë.

Ambasadori i Kosovës, shkëlqesia e Tij, z. Skënder Durmishi, vlerësoi në mënyrë të veçantë rolin e z. Ekrem Bardha si dëshmitar, protagonist dhe kontributor aktiv për sensibilizimin dhe ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës”.

Për rëndësinë e librit të z. Ekrem Bardha “E vërteta – pavarësia e Kosovës, Amerika dhe diaspora” u foli të pranishmëve, Prof.asoc.dr. Andi Pinari, i cili u ndal në rëndësinë e librit si  një  dëshmi e gjallë e rrugëtimit drejt lirisë dhe shtetformimit të Kosovës.

Të pranishmit theksuan dhe rolin e luftës së drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të mbështetur nga NATO-ja dhe SHBA-ja për shpëtimin e popullsisë shqiptare nga represioni serb.

Studentët patën mundësinë të ndërvepronin me znj. Bardha përmes pyetjeve, për të përjetuar përmes dëshmive të saj, përpjekjet titanike të diasporës shqiptare në SHBA për Pavarësinë e Kosovës dhe shtetformimin e saj.


Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë - Të gjitha të drejtat e rezervuara