6.10.2025

Mirë se erdhët në vitin e ri akademik 2025–2026


Sot, Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë mirëpriti me entuziazëm fillimin e vitit të ri akademik, duke hapur dyert për 250 studentët e rinj të programeve Bachelor dhe duke uruar mirëseardhjen për të gjithë ata që vijojnë rrugëtimin e tyre universitar në këtë fakultet.

Studentët u mirëpritën nga Dekani i Fakultetit, prof. dr. Mark Marku, Administratorja, znj. Parashqevi Pogaçe, zëvendësdekanët, prof. dr. Romeo Hanxhari dhe prof. dr. Edlira Macaj, përgjegjësit e departamenteve, stafi akademik dhe ai ndihmësakademik.
Në fjalën përshëndetëse drejtuar studentëve të rinj, Dekani, prof. dr. Mark Marku, uroi për një vit të mbarë akademik, duke theksuar përkushtimin e Fakultetit për të ofruar arsim cilësor, mbështetje të vazhdueshme dhe një ambient frymëzues për zhvillimin personal dhe profesional të çdo studenti.
Një risi e rëndësishme e këtij viti akademik është hapja e programit të ri Bachelor “Studime Ndërkombëtare”, program i hapur në bashkëpunim me Fakultetin e Gjuhëve të Huaja. Programi pasuron ofertën akademike të Fakultetit, duke ofruar një qasje ndërdisiplinore mbi marrëdhëniet ndërkombëtare, politikën, historinë dhe komunikimin global. Programi synon të formojë profesionistë të aftë e të përgatitur në këto fusha.
Ceremoninë e hapjes së këtij programi e përshëndeti edhe Rektori i Universitetit të Tiranës, prof. dr. Artan Hoxha, i cili uroi studentët dhe stafin akademik, duke theksuar rëndësinë e dijes dhe përgatitjes së brezave të rinj në këtë orientim, si dhe Dekania e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, prof.dr. Esmeralda Kromidha.
Ditët e Informimit do të vijojnë edhe në ditët në vazhdim, ku studentët do të kenë mundësi të njihen më nga afër me departamentet dhe njësitë mbështetëse të Fakultetit.

Stafi akademik dhe administrativ i Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë u uron të gjithë studentëve një rrugëtim të mbarë dhe plot suksese në vitin e ri akademik!


Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë - Të gjitha të drejtat e rezervuara