Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu takim pune në Departamentin e Gazetarisë


Rishikimi i kurrikulave duke integruar platformat digjitale dhe aftësimi i mësuesve për ti përvetësuar ato kanë qenë në fokus të një tryeze informale mes Ministres së Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu dhe pedagogëve të Departamentit të Gazetarisë dhe Komunikimit, organizuar në ambientet e Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë.
Në këtë takim Dekani i FHF-së, Mark Marku, njëherësh pedagog i Departamentit të Gazetarisë, nënvizoi sfidën për të edukuar “mësuesin digjital”. Sipas Prof. Markut, mësuesi i sotëm, ndryshe nga më parë nuk është ai që ka monopolin e dijes, por autoriteti që kombinon metodat tradicionale të mësimdhënies dhe drejton nxënësin drejt dijes, burimeve të sakta digjitale dhe bibliografinë bashkëkohore.
Ministrja Manastirliu evidentoi nevojën për një strategji të re në sistemin parauniversitar, ndërsa u shpreh se mirëpret propozimet dhe ekspertizën e këtij departamenti në funksion të zhvillimit të mëtejshëm të arsimit dhe edukimit të brezit të ri.
Drejtuesja e Departamentit, Iris Luarasi, u ndal te nevoja për të integruar konceptin e “media literacy” në gjithë kurrikulën, përfshi dhe integrimin e një lënde mbi edukimin mediatik.
Gjatë këtij bashkëbisedimi, pedagogët e Departamentit të Gazetarisë dhe Komunikimit, prezantuan disa nga gjetjet e studimit mbi Edukimin Mediatik në Shqipëri, botuar një vit më pare, në të cilin analizohen sfidat kryesore mbi edukimin mediatik në gjithë sistemin arsimor shqiptar.
Në përfundim të këtyre diskutimeve, sikurse u shprehën edhe përfaqësues të Ministrisë së Arsimit, shumë prej ideve do të përkthehen në një seri masash afatshkurtra dhe afatgjata, dhe do të bëhen pjesë e Planit Kombëtar të Veprimit, i cili është në proces finalizim.


Shpërnda lajmin: