Mesazh zgjedhor i kandidatit për autoritet drejtues i FHF-së, Prof. dr. Sabri LAÇI
Të nderuar kolegë,
Të dashur studentë,
Në kuadër të fushatës së zgjedhjeve për autoritetet dhe organet drejtuese në IAL-të publike të Republikës së Shqipërisë, si kandidat për autoritet drejtues i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, prej ditësh jam gjendur përballë dilemës për të takuar secilin prej jush apo për t’ju shkruar. Në fund, pas disa konsultimeve, vendosa të respektoj agjendat tuaja dhe t’ju drejtohem me këtë mesazh, duke shpresuar se do të gjeni pak kohë për ta lexuar.
Së pari, dëshiroj t’ju përgëzoj dhe falenderoj për përkushtimin maksimal që keni treguar për mbarëvajtjen e punëve në FHF përgjatë këtyre tri viteve akademike, duke përmbushur të gjitha detyrat tuaja në procesin mësimor dhe shkencor, pavarësisht situatave natyrore, sociale dhe shëndetësore të pazakonta.
Së dyti, e shoh të nevojshme të sjell në vëmendjen e secilit prej jush se gjatë këtyre tri viteve, krahas ruajtjes së traditave të vyera, në FHF është shënuar progres në mobilitetin e stafit dhe studentëve, sidomos në kuadër të Programit Erasmus+, në realizimin e projekteve studimore, hapjen e programeve të reja, krijimin e laboratorëve, kualifikimin shkencor, pjesëmarrjen e pedagogëve dhe studentëve në veprimtari shkencore ndërkombëtare, pranimin e stafit të ri shumë cilësor, pasurimin e bibliotekës me qindra tituj të rinj, decentralizimin e vendimmarrjes, duke forcuar rolin e njësive bazë, komunikimin publik, kritikën e shëndetshme për problemet e shfaqura në arsimin shqiptar dhe mediatizimin e çështjeve me rëndësi për fakultetin dhe universitetin, respektimin e vullnetit të studentëve dhe rritjen e peshës së tyre në vendimmarrje, shtimin e buxhetit për projekte kërkimore dhe veprimtari të tjera studentore, thithjen e bursave për studentët nga donatorë jashtë UT-së etj.
Së treti, duke qenë i ndërgjegjshëm se sfidat që na presin, janë të shumta, e gjej të udhës t’ju bëj me dije se, nëse do të kem besimin tuaj për drejtimin e FHF-së për një mandat të dytë, puna ime do të fokusohet në:
- përpjekjet për krijimin e standardeve europiane në komunikim, ndërveprim, bashkëpunim dhe vendimmarrje në Univerisitetin e Tiranës, në përputhje me ligjin, aktet nënligjore, hierarkinë institucionale dhe etikën qytetare, në respekt të emrit dhe peshës që ka ky institucion në shoqërinë shqiptare;
- angazhimin për decentralizimin e plotë të kompetencave në njësitë bazë, gjetjen e mekanizmave për realizimin e gjithëpërfshirjes në vendimmarrje, llogaridhënien dhe transparencën sistematike;
- vullnetin e vazhdueshëm për përmirësimi e statusit dhe të trajtimit financiar të stafit akademik dhe të atij ndihmës, si dhe për përfshirjen më të gjerë të organizatave studentore në vendimmarrje;
- insistimin pranë institucioneve shtetërore për rihapjen e shkollave të doktoratës, si dhe mbështetjen maksimale për çdo pedagog dhe student në veprimtarinë kërkimore, shkencore dhe kualifikuese, realizimin e projekteve dhe mobiliteteve, duke kërkuar rritjen e pjesës së buxhetit në funksion të këtij qëllimi;
- fillimin e punës për akreditimin e programeve mësimore (në shqip dhe anglisht), si dhe për përgatitjen e botimeve në gjuhën angleze, sipas standardeve të vendeve të BE-së, me qëllim ofrimin e mësimit për studentët e huaj dhe ndërkombëtarizimin e punës në fakultet;
- rikthimin sa më shpejt në funksionim të Sistemit Informatik, me qëllim lehtësimin e punës së studentëve, pedagogëve dhe stafit të Sekretarisë Mësimore, garantimin e privatësisë dhe të sigurisë së informacionit;
- kompletimin e njësive bazë me laboratore bashkëkohore, me qëllim modernizimin e plotë të procesit mësimor dhe forcimin e aspektit aplikativ, fuqizimin e departamenteve si qendra kërkimore, të afta të kryejnë studime për të tretët, duke mundësuar krijimin e të ardhurave për stafin akademik, atë ndihmës dhe studentët;
- insistimin e vazhdueshëm pranë instancave eprore për zgjerimin e hapësirave për punë kërkimore, mësim, veprimtari kulturore dhe sportive, për pedagogët dhe studentët, me qëllim gjallërimin e jetës universitare;
- këmbënguljen për administrimin e vërtetë të autonomisë institucionale dhe për depolitizimin rrënjësor të jetës universitare, të cilat mbeten ende dy sfida për fakultetin dhe universitetet shtetërore në Shqipëri;
- përpjekjet maksimale për hapjen e fakultetit ndaj komuniteteve dhe shoqërisë në tërësi, biznesit dhe sipërmarrjes, medias dhe organizatave joqeveritare, botës së artit dhe të sportit, duke e shndërruar atë në një univers të vërtetë, tempull të dijes, bastion të fjalës së lirë dhe debatit konstruktiv, gjenerues pikëpamjesh, idesh dhe vizionesh të reja, të dobishme për zhvillimin e mëtejshëm të tij dhe të shoqërisë në tërësi.
Sigurisht që e kam të pamundur të them sot se sa prej këtyre punëve do të mund të përfundojmë gjatë katër viteve të ardhshme, por një gjë e them me siguri: nuk do të kursej asgjë që, së bashku të bëjmë më të mirën për të gjithë ne dhe për FHF-në, me të cilin kemi lidhur jetën tonë profesionale.
Duke ju falënderuar për mbështetjen dhe bashkëpunimin,
Sinqerisht,
Prof. dr. Sabri LAÇI